✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

PASQYRA DHE LUFTA KUSH KONTROLLON MENDJET

Vitjon Nina

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Edi Rama hodhi në tryezë një koncept që meriton të lexohet përtej retorikës së zakonshme mbi Inteligjencën Artificiale: “Pasqyra Digjitale”.

Ideja, në thelb, është e thjeshtë, por pasojat e saj mund të jenë shumë më të mëdha. Në një botë ku algoritmet nuk na tregojnë vetëm informacionin, por vendosin edhe se cili informacion do të na shfaqet, problemi nuk është më vetëm nëse një lajm është i vërtetë apo i rremë.

Problemi është të kuptojmë kush e krijoi, kush e financoi, kujt iu drejtua dhe pse përfundoi pikërisht para nesh.

Kështu nis edhe koncepti i “pasqyrës”.

Sipas idesë së paraqitur nga Rama, Shqipëria po ndërton një mekanizëm të bazuar në AI që synon të identifikojë në kohë reale manipulimet, të krahasojë pretendimet me burime autoritative dhe të zbulojë modele të koordinuara të shpërndarjes së informacionit. Por pjesa më interesante nuk është teknologjia në vetvete. Është filozofia pas saj: pasqyra nuk duhet t’i thotë qytetarit çfarë të besojë, por t’i tregojë se çfarë po ndodh pas ekranit.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm.

Sepse sot manipulimi nuk funksionon domosdoshmërish duke të bindur për një gënjeshtër. Mund të funksionojë edhe duke të ekspozuar vazhdimisht ndaj një versioni të caktuar të realitetit. Dy njerëz që jetojnë në të njëjtin qytet mund të shohin dy media sociale krejtësisht të ndryshme, të marrin dy histori të ndryshme dhe të ndërtojnë dy perceptime krejtësisht të ndryshme për të njëjtën ngjarje.

Në këtë kuptim, algoritmi nuk është vetëm shpërndarës informacioni; ai mund të bëhet arkitekt i vëmendjes.

Kësisoj, “Pasqyra Digjitale” merr kuptim. Ajo nuk synon të kontrollojë informacionin, por të bëjë më të dukshme mekanikën e tij. Të zbulojë “gjurmët” e një informacioni: nga erdhi, si u përhap, kush e amplifikoi dhe nëse reagimi që prodhoi ishte organik apo i koordinuar.

Rama e vendosi këtë ide në një kontekst më të gjerë: atë të sovranitetit. Sovraniteti, në epokën digjitale, nuk është më vetëm kontrolli mbi territorin, kufijtë apo institucionet. Është edhe aftësia e një shoqërie për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët formojnë gjykimin e tyre.

Sepse rreziku i AI nuk është vetëm se makinat mund të prodhojnë më shumë informacion të rremë. Është se mund ta bëjnë atë informacion më të besueshëm, më të personalizuar dhe më të saktë në goditjen e dobësive njerëzore.

Në fjalimin e tij, Rama solli si shembull narrativën e “Revolucionit të Flamingos”, duke argumentuar se një histori e fabrikuar mund të përshtatet sipas emocioneve, besimeve dhe burimeve që secili individ i konsideron të besueshme.

Nëse kjo është sfida, atëherë “Pasqyra Digjitale” është përpjekja për të krijuar një shtresë transparence mbi vetë informacionin.

Megjithatë, një pyetje me rëndësi lind në gjithë këtë ekosistem të ri ideologjik. Kush e kontrollon pasqyrën?

Një instrument që pretendon të dallojë manipulimin mund të bëhet vetë një instrument manipulimi nëse kthehet në autoritetin që vendos se cila është “e vërteta”. Pikërisht për këtë Rama e ndau konceptin nga ideja e një “Ministrie të së vërtetës”: e vërteta, sipas tij, nuk duhet të dekretohet nga qeveria, por të evidentohet, burimëzohet, testohet dhe sfidohet publikisht.

Ndaj “Pasqyra Digjitale” nuk duhet të merret thjesht si një projekt teknologjik i prezantuar në eufori e sipër nga kryeministri shqiptar në OKB. Ajo është një ide mbi transparencën e realitetit digjital.

Nëse funksionon siç është përshkruar, qytetari i së ardhmes nuk do të ketë vetëm një ekran ku sheh informacionin. Do të ketë edhe një pasqyrë që i tregon se si ai informacion mbërriti deri tek ai.

Dhe në një epokë ku beteja nuk zhvillohet vetëm për territorin, por edhe për vëmendjen, perceptimin dhe të vërtetën, kjo mund të jetë një nga betejat më të rëndësishme të sovranitetit modern.

Advertisement