Politike
Arsimi mes protestës dhe pasigurisë/ Zv.ministrja e Arsimit thirrje për dialog
Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka bërë thirrje për dialog si mënyrën e vetme për të kapërcyer situatën e krijuar nga protestat e studentëve dhe të rinjve në Tiranë. Në një intervistë për “Newsline”, Osmani theksoi se dhuna nuk mund të shërbejë si zgjidhje, ndërsa nënvizoi se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta.
Duke folur edhe në cilësinë e një mësueseje, Osmani tha se ditët e fundit kanë qenë të vështira dhe se të rinjtë duhet të dëgjohen e të trajtohen me vëmendje. Sipas saj, komunikimi dhe mirëkuptimi janë thelbësorë për të gjetur një zgjidhje, ndërsa institucionet arsimore duhet të mbeten hapësira ku nxënësit dhe prindërit ndihen të sigurt.
Zëvendësministrja bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka marrë qindra mesazhe nga prindërit, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre për situatën. Ajo tha se komunikimi është zhvilluar edhe përmes drejtuesve të shkollave dhe se procesi mësimor vijon, ndërsa institucionet synojnë të garantojnë sigurinë dhe cilësinë e arsimit.
Osmani pranoi se frekuentimi në disa shkolla nuk ka qenë në nivelin e zakonshëm, veçanërisht pas përshkallëzimit të situatës të premten. Ajo theksoi se prindërit kanë pasur mundësinë t’i mbajnë fëmijët në shtëpi për shkak të shqetësimeve, por sipas saj, numri i nxënësve që po rikthehen në shkolla po rritet gradualisht.
“Dhuna nuk është një mundësi për të zgjidhur situatën. Dialogu duhet të na shoqërojë këto ditë”, u shpreh Osmani, duke shtuar se toleranca, komunikimi dhe dialogu janë elementët që mund të krijojnë një bazë të përbashkët për kapërcimin e situatës.
Deklarata e zëvendësministres vjen në një kohë kur protestat e të rinjve vijojnë të mbajnë në vëmendje çështjet e arsimit, sigurinë e nxënësve dhe raportin mes institucioneve dhe protestuesve.