Politike
Avokati Plarent Ndreca i shqetësuar: Veliaj në spital, por s’e vizitojnë
Avokati Plarent Ndreca ka dhënë detaje nga takimi me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në sektorin spitalor të burgut të Fierit për shkak të një frakture në këmbë.
Përmes një deklarate, Ndreca bëri të ditur se prej afro dy javësh është kërkuar zyrtarisht kryerja e një ekzaminimi mjekësor për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit të frakturës, por sipas tij, kontrolli ende nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek trajtimin e Veliajt.
“Po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar”, deklaroi avokati.
Ndreca bëri gjithashtu të ditur se gjatë takimit Veliaj i ka dorëzuar disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal. Sipas avokatit, në këto shënime janë pasqyruar përgjigjet që kryebashkiaku i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e paraqitura prej tij në takimin e së premtes.
Avokati njoftoi se këto përgjigje do të bëhen publike, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar lidhur me pretendimin për vonesën në kryerjen e ekzaminimit mjekësor.