Aktualitet
“U hodha nga ballkoni, djali bërtiste për ndihmë”/ Banorët në panik nga shpërthimi në Elbasan
Banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm në një pallat në Elbasan kanë rrëfyer momentet e panikut dhe frikës që përjetuan. Ata e përshkruajnë ngjarjen si një shpërthim tepër të fortë, që tronditi ndërtesat përreth dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme.
Një prej banorëve të pallatit të prekur ka treguar se është detyruar të hidhet nga ballkoni për të shpëtuar, pasi dera e tij e kishte goditur në kokë. Ai rrëfen se në momentin e shpërthimit djali po kthehej nga shkolla dhe kërkonte ndihmë, ndërsa ai nuk arrinte të dilte nga banesa.
“Kam gjysmë ore që kam dalë. Më ra në kokë dera e ballkonit, djali po vinte nga shkolla. Djali bërtiste. Imagjino të dëgjosh fëmijën të thotë ‘Ndihmë!’ dhe të mos dilja dot. U hodha nga ballkoni më pas”, tregoi banori, duke shfaqur edhe shenjat e lëndimeve.
Ai foli gjithashtu për dëmet e shkaktuara në banesë, të cilat, sipas tij, arrijnë deri në 80 milionë lekë. Banori tha se kishte kryer investime në shtëpi edhe vetëm një muaj më parë.
Edhe banorët e pallateve përreth tregojnë se shpërthimi u dëgjua si një bombë dhe se tronditja u ndje në banesat e tyre. Ata rrëfejnë se dolën menjëherë për të parë çfarë kishte ndodhur, ndërsa në zonë mbërritën forcat e Policisë dhe zjarrfikësit.
“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’ Shumë e frikshme”, tregoi një prej banorëve.
Dëshmitë e tyre pasqyrojnë panikun e krijuar në zonë, ndërsa dëmet e mëdha materiale dhe pasojat e shpërthimit vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes.