Kronike
Makabër/ Si djali në bashkëpunim me nënën vranë kryefamiljarin dhe në polici deklaruan se e kafshoi ariu
Një ngjarje e rëndë është zbardhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një 33-vjeçar dhe nëna e tij, 57 vjeçe, janë ndaluar nga Policia, pasi dyshohen për vrasjen e kryefamiljarit, Urim Fiku.
Sipas hetimeve paraprake, familjarët kishin raportuar fillimisht se babai i familjes kishte humbur jetën pas një sulmi nga një ari. Por hetimet e kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, si dhe ekzaminimet mjekoligjore, zbuluan se 57-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Në vijim të hetimeve u ndaluan Sadete Fiku, 57 vjeçe, bashkëshortja e viktimës, dhe djali i tij, Gazmir Fiku, 33 vjeç. Të dy dyshohen se, në bashkëpunim, kanë vrarë Urim Fikun me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Gazmir Fiku, sipas të dhënave të bëra publike, ka punuar për më shumë se një dekadë si supervizor në OSHEE. Ky detaj është bërë publik pas identifikimit të tij si një nga personat e dyshuar për ngjarjen.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia sekuestroi një pistoletë model 54, disa fishekë dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa përgjegjësia penale e personave të ndaluar do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.