Aktualitet
Zjarri në pallatin në Lezhë/ Administratori: Po zbrisja shkallët kur pashë flakët…
Administratori i pallatit ku shpërtheu zjarri në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, Man Sinani, tregon momentet e para të ngjarjes dhe ndërhyrjen për evakuimin e banorëve.
Sinani thotë se ishte rreth orës 16:00, kur po zbriste shkallët e pallatit, që vuri re flakët në katin e parë. Ai njoftoi menjëherë policinë dhe zjarrfikësen, ndërsa së bashku me të tjerë ndihmoi në nxjerrjen e banorëve nga godina.
“Ishte ora 16:00, isha duke zbritur shkallët kur shoh flakë te kati i parë këtu se jam edhe administratori i pallatit, thashë çka ndodhur. Shkoj gjej një person aty, i shkreti, lajmëruam policinë dhe erdhëm. Nxorrëm edhe njerëzit, falënderoj zjarrfikësen që i nxori të gjithë nga kati i parë në të fundit. U bë mjegull e tym”, tregon administratori.
Administratori rrëfen se situata u bë edhe më shqetësuese për shkak të tymit të dendur dhe frikës se në banesë mund të kishte bombola gazi.
“Zjarri nisi që në katin e parë këtu që duket nga shkallët. Një person më thirri, u temba nëherë se mendova mos ka ndonjë bombol gazi. Zjarrfikësja e policia kanë ardhur urgjentisht”, tha Sinani.
Nga zjarri, disa banorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe shenja asfiksie, por sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.