Politike
ME 14 BIE SISTEMI, RAMA GATI REVOLUCIONIN KUSHTETUES/ ILIR KULLA ZBULON ÇFARE DO TE NDODHE
Në prag të Asamblesë së Partisë Socialiste më 14 nëntor, eksperti i sigurisë Ilir Kulla vlerëson se kryeministri Edi Rama mund të hapë diskutimin për ndryshime të thella në sistemin politik.
Kulla deklaroi se Rama duket se ka kuptuar nevojën për të adresuar problemet e sistemit politik, të cilat, sipas tij, janë thelluar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Ndër propozimet e mundshme janë ulja e numrit të deputetëve nga 140 në 100, zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga qytetarët dhe krijimi i një Senati. Duke komentuar këto mundësi, Kulla tha se hapja e debatit për reformimin e sistemit do të përbënte një zhvillim pozitiv, pavarësisht përmbajtjes përfundimtare të propozimeve.
“Edi Rama, me sa duket, na ka dëgjuar edhe në këto bisedat që bëjmë ne te Pamfleti. Sigurisht, nuk do të na citojë kurrë. Por ka kuptuar një gjë: që duhet të adresojë shqetësimet e sistemit. Dhe kjo nuk është gjë e vogël”, u shpreh Kulla.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për ndryshime që shkojnë përtej emrave të drejtuesve politikë dhe prekin mënyrën se si funksionojnë partitë, Parlamenti dhe përfaqësimi i qytetarëve.
Eksperti u ndal veçanërisht te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të miratuara në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Edi Rama drejtonte opozitën. Sipas Kullës, marrëveshja e asaj periudhe forcoi kontrollin e drejtuesve partiakë mbi përzgjedhjen e kandidatëve dhe dobësoi mundësinë e qytetarëve për të ndikuar drejtpërdrejt në përfaqësimin e tyre politik.
Për të ilustruar kritikën, ai bëri një krahasim mes sistemit aktual partiak dhe mënyrës së organizimit të zgjedhjeve gjatë regjimit komunist.
“Sot ne nuk zgjedhim asgjë. Ne sot zgjedhim vetëm dy lista. Pra, nga Fronti Demokratik i atëhershëm kemi kaluar në dy Fronte Demokratike: njëra quhet PS, tjetra quhet PD”, tha Kulla.
Ai argumentoi se kryetarët e partive kanë ndikim vendimtar në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe për drejtues vendorë, ndërsa qytetarët kanë hapësirë të kufizuar për të ndikuar në këto vendimmarrje.
“Sistemi ynë politik është një Kore e Veriut në High Definition. Se kemi dy parti që janë dy reparte ushtarake”, deklaroi eksperti, duke përdorur një krahasim kritik për mënyrën e organizimit të forcave kryesore politike.
Kulla theksoi se ndryshimi i sistemit nuk mund të kufizohet vetëm te mbajtja e zgjedhjeve, nëse partitë vazhdojnë të kontrollojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.
Eksperti e lidhi mundësinë e ndryshimeve edhe me protestat kundër qeverisë, duke vlerësuar se presioni qytetar mund të ketë ndikuar në hapjen e diskutimit për reformimin e sistemit.
“Nëse do të lajmërohet fillimi i ndryshimit të sistemit politik, ky është një lajm shumë i mirë. Dhe nëse këtë gjë e ka lexuar ai të cilit i adresohet protesta, pra kryeministri, kjo është akoma një lajm shumë i mirë”, deklaroi ai.
Në diskutim u përfshi edhe qëndrimi i Ilir Metës, i cili ka kritikuar marrëveshjen kushtetuese të vitit 2008 dhe ka paralajmëruar kundër një marrëveshjeje të ngjashme. Kulla kujtoi se kundërshtimi i Metës ndaj ndryshimeve të vitit 2008 e çoi atë në grevë urie, ndërsa vlerësoi se ish-presidenti e njeh mirë ndikimin që ajo marrëveshje pati në sistemin politik.
“Ilir Meta ka moshë politike sa mosha politike e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Sot është në hall, por eksperienca flet”, u shpreh Kulla.
Pavarësisht kritikave ndaj marrëveshjeve të mëparshme politike, eksperti nuk e përjashtoi mundësinë që një reformë e re të sjellë ndryshime pozitive.
Pjesë nga intervista:
-Flasim për Asamblenë që do të mbahet më datë 14 nëntor. Asambleja e Partisë Socialiste, priten një sërë zhvillimesh. Të paktën kështu flasin burimet jozyrtare. Mund të ketë ndryshime në poste kyçe në qeveri, por edhe në Partinë Socialiste. Flitet që drejtimin politik të Tiranës do ta marrë vetë në dorë kryeministri Edi Rama. Flitet që ky i fundit do të propozojë edhe tre modele kushtetuese, si për shembull: parlament me 100 deputetë, zgjedhja e presidentit nga populli, një dhomë senati etj., etj. Çfarë presim nga Asambleja e Partisë Socialiste?
Ilir Kulla: Shiko… ajo gjë që duket… është që… dhe kjo ndoshta edhe për shkak të instrumenteve që ka përdorur edhe me konsulentë të huaj… është që… do s’do… Edi Rama me sa duket na ka dëgjuar edhe në këto bisedat që bëjmë ne te Pamfleti, sigurisht nuk do na citojë kurrë, se natyrisht kjo është normale. Por ka kuptuar një gjë që duhet të adresojë shqetësimet e sistemit. Dhe kjo nuk është gjë e vogël. Pra… që atë e gënjejnë publikisht dhe privatisht një pjesë e vartësve të tij, edhe me dëshirën e tij, kjo gjë është publike tashmë. Por që vendi ka nevojë të adresojë ndryshime të thella në sistemin politik, edhe kjo gjë është e domosdoshme. Ja ku erdhëm… 18 vjet pas 2008-s. Edhe atëherë ishte shumë e rëndësishme sepse 2008-a është koha në të cilën na u hap rruga për në NATO. Pra u mor vendimi politik, atëherë u bë kjo. Se në 2009-n ne kemi anëtarësimin, në 2008-n morëm ftesën për samitin e Bukureshtit. Dhe tani jemi përballë një sezoni të ri politik për Bashkimin Evropian. Ky sezon i ri politik për Bashkimin Evropian, përveç komplikacioneve shumë të rënda që ka brenda, ka dhe komplikacionet e çfarë po ndodh në botë dhe në Evropë. Pra nuk jemi më në stinën dhe sezonin që ne themi “Jo po këtë gjë do na e zgjidhë Amerika, jo po këtë gjë do na vijë do na e zgjidhë Evropa.” Janë evropianët që thonë “ore pse unë do merrem me punët e tua, merru e bëji punët e tua.” Pra që të ketë një ndryshim të sistemit politik në Shqipëri, me ose pa konsensus me opozitën. Unë do uroja me konsensus. Që të adresojë dhe shqetësimet e atyre që i kanë vënë nga rruga, pra… që mos e bëjmë atë… se na e çoi vetëm domethënë “nga te Zëri i Rinisë-ja përfunduam te Kadareja, nga Kadareja përfunduam te Zëri i Rinisë” siç thotë Gjon Duka, domethënë. Po që të adresojmë shqetësimet e asaj të shkruarës në gur te ai dialogu që vë ai mëngjes për mëngjes aty te Pirro Kafeja para Kryeministrisë… duhet të dëgjojmë çfarë duan njerëzit. Edhe ky sondazhi thashë unë që, po të bëhen sot zgjedhjet, PS-ja merr 600,000, PD-ja 300,000, dhe pjesa tjetër nuk është pjesë e kësaj, tregon që shumica e popullsisë është kundër këtij sistemi politik. Që do të thotë që ky sistem politik ka nevojë për ratifikim të tërë. Tërësisht, nga themelet. Tani a janë të gjitha të mira ato që do propozojë Rama? S’e di, ta dëgjojmë. Po nëse kemi mbërritur në pikën që ai e ka kuptuar që sistemi politik duhet të ndryshohet në themel, ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Çfarë dua të të them… teknikisht, teknikisht… ju jeni e re, nuk e mbani mend, po në kohë të Partisë së Punës dikur, edhe atëherë kishte vota. Votohej. Madje ishte lajm i madh se merrte pjesë sa më shumë popullsia në vota, dhe thuhej “votuan 95%, votuan 97%”. Dhe thoshin “votuan kandidatët e Frontit Demokratik” domethënë, se kishte vetëm një listë në zgjedhje. Sot de facto si jemi ne? Sot ne nuk zgjedhim asgjë. Ne sot zgjedhim vetëm dy lista, pra nga Fronti Demokratik i atëhershëm kemi kaluar në dy Fronte Demokratike, njëra quhet PS, tjetra quhet PD. Janë listat e mbyllura, ne nuk zgjedhim asnjërin, sepse ata që futen në lista i vendos kryetari i partisë, falë 2008-s. Teorikisht, ne zgjedhim vetëm kryetarët e bashkive, po dhe kryetarët e bashkive, pasi i ka vendosur partia, edhe presidentin e republikës pasi e ka vendosur parlamenti që prapë nga partia, ajo që ka thënë Taulant Balla, do ngelet në historinë e Shqipërisë në fjalorin politik, dikur, pra fillim partia pastaj Shqipëria. Ne sot, ndryshe nga komunizmi, kemi vetëm një gjë: mund të dalim në media dhe të flasim. Po edhe këtu… deri diku ë, se falë YouTube-it, se të tjerët dihet që pjesa e propagandës e ka kontrolluar shumë mirë këtë gjë… Atëherë… Sistemi ynë politik… është një Kore e Veriut në High Definition. Se kemi dy parti që janë dy reparte ushtarake. Këtë po komentonim. Dhe qytetari nga poshtë e ka të pamundur ta… ta moderojë, ta ndryshojë sistemin politik. Dhe e bukura është që këta thonë: sistemi politik ndryshon vetëm me zgjedhje. Po zotëri, po s’më lë të bëj zgjedhje! Sepse sistemin politik e kemi mbyllur në dy reparte ushtarake, njëri repart që quhet PD, tjetri PS, populli nuk ka… populli vetëm i mëson kur dalin atje me listë, thotë: Këtë… partia kësaj radhe na ka lënë për kryetar bashkie për shembull… në, ku di unë, më jep një bashki çfarë të duash… në Vorë, do dalë filani, e kupton? Ai që është edhe tani thotë… Dhe nuk e di, a u bë një… ku di unë, referendum brenda partisë, a ku di unë, u bë një, ku di unë, një votim brenda partisë, a u bë një listë e hapur siç kanë italianët domethënë… që qytetarët mund të votojnë për shembull siç u votua kryetarja e Partisë Demokratike në Itali që është në opozitë tani me… me votim të hapur nga anëtarësia e të tjerë. S’ka! Këtu e cakton ai dhe u mbyll… Prandaj, ne kemi mbërritur këtu, kështu që, nëse do të ndodhë, të premten, më fal, të shtunën, do të lajmërohet fillimi i ndryshimit të sistemit politik, ky është një lajm shumë i mirë. Dhe nëse këtë gjë e ka lexuar… ai të cilit i adresohet protesta, pra kryeministri, kjo është akoma lajm shumë i mirë, se kjo tregon që pikërisht u paska dashur kjo protestë që të mbërrijmë këtu, sepse ndryshe s’do kishte kurrë mënyrë për ta ndryshuar.
Nëse të kujtohet, para nja dy vjetësh, po ka qenë para zgjedhjeve… unë e kam pyetur zotin Berisha në studio te Çani… nëse të kujtohet. Kam qenë përballë. O doktor, a i ke ra pishman 2008-s apo jo? “Jo” tha. Ne bëmë një marrëveshje, dy mandate ai, dy mandate unë. Po si jo! Jo tha. Tani, nëse ne mbërrijmë me dëshirë apo pa dëshirë, me hall apo pa hall, me presion ose pa presion, me të huaj ose pa të huaj, në një moment në të cilin do të fillojë ndryshimi i sistemit politik, ky është një lajm shumë i mirë. Po ta shohim.
-Ok. Tani… e kisha për më poshtë këtë pyetje, po meqenëse po flasim për ndryshimin e sistemit dhe për pazar të mundshëm mes Ramës dhe Berishës, apo të paktën këtu thuhet… Ilir Meta gjithashtu ka bërë një deklaratë dhe ka dalë hapur duke e quajtur atëherë pazar të 2008-s, pazar Rama-Berisha, dhe e quan përsëri një tentativë për një tjetër pazar. Çfarë mund të thuash rreth kësaj, a është kjo prapaskenë e 2008-s, Berisha-Rama?
Ilir Kulla: Është shumë e rëndësishme kjo. Nëse bëhet tani do jetë Rama-Berisha, po atëherë ishte Berisha-Rama.
-Ok. Tani… edhe Ilir Meta ka bërë një deklaratë orët e fundit dhe ka dalë kundër dhe kërkon prishjen e pazarit të 2008-s. Çfarë ishte kjo… goditje për Berishën apo?
Ilir Kulla: Jo jo, kjo është vazhdimi i 2008-s, në të cilën atëherë ai bëri… domethënë ai pazari i 2008-s e çoi të bëjë grevë urie. Po pasojat e pazarit të 2008-s e kanë çuar atje ku është.
-Edhe tani e kuptoi…
Ilir Kulla: Jo ai e di… Shiko, Ilir Meta… Ilir Meta ka moshë politike sa mosha politike e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Dhe ai është i ’90-ës, nuk është njeri… Sot është në hall, por eksperienca flet, dhe siç thoshte Andreoti “eksperienca është e saktë sa herë ta kesh futur në jetë”, pra Ilir Meta thotë tamam të vërtetën taksative në këtë gjë.