Kosova
PUTIN PRET TE GABOJME/ EKSPERTET NE SHBA THIRRJE PENTAGONIT PER KOSOVEN: MOS I JEPNI MOSKES FITORE
Dy ekspertë amerikanë të sigurisë i kanë bërë thirrje Pentagonit dhe administratës së SHBA-së që të mos tërheqin trupat amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të dëmtonte sigurinë në Ballkan dhe do t’i shërbente interesave strategjike të Moskës.
Në një artikull të publikuar në median amerikane të specializuar për çështjet e mbrojtjes, Defense One, Mark Montgomery dhe Ivana Stradner argumentojnë se prania e rreth 600 ushtarëve amerikanë në Kosovë është një investim i vogël në aspektin financiar, por me rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Sipas ekspertëve, në një kohë kur Uashingtoni po rishikon vendosjen e forcave amerikane në Evropë dhe po shqyrton mundësinë e shkurtimeve, KFOR-i duhet të mbetet jashtë çdo plani për tërheqje ushtarake.
Ata theksojnë se largimi i trupave amerikane nuk do të sillte kursime domethënëse për buxhetin e SHBA-së, ndërsa pasojat politike dhe strategjike do të ishin shumë më të mëdha.
“Tërheqja e tyre nuk do të sillte pothuajse asnjë dobi, ndërsa Moskës do t’i dhuronte një fitore strategjike të lehtë”, argumentojnë autorët.
Në analizën e tyre, Montgomery dhe Stradner rikthejnë në vëmendje historikun e KFOR-it, i cili u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Ekspertët paralajmërojnë se Rusia e ka përdorur vazhdimisht Serbinë si një instrument ndikimi në Ballkan, duke nxitur tensione dhe duke sfiduar stabilitetin e Kosovës.
Në këtë kontekst, ata përmendin disa prej episodeve më të rënda të viteve të fundit, përfshirë provokimin me trenin rus në vitin 2017, sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
Po ashtu, në artikull rikujtohen përplasjet e majit 2023, gjatë të cilave mbi 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s mbetën të plagosur në përballjet me protestuesit serbë.
Sipas autorëve, këto zhvillime tregojnë se prania ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë mbetet e domosdoshme dhe se çdo dobësim i saj mund të krijojë hapësirë për destabilizim të mëtejshëm.
KFOR-i nuk mund të zëvendësohet lehtësisht pa SHBA-në
Një tjetër argument i ekspertëve amerikanë lidhet me rolin e veçantë që luajnë Shtetet e Bashkuara brenda KFOR-it. Sipas tyre, kontributi amerikan nuk është thjesht çështje numrash ushtarësh, por përfaqëson edhe një garanci politike dhe një mekanizëm të rëndësishëm parandalues ndaj çdo përpjekjeje për përshkallëzim.
Për të mbështetur këtë qëndrim, ata bëjnë një krahasim me misionin EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku mungesa e një angazhimi të fortë amerikan, sipas vlerësimit të tyre, ka vështirësuar reagimin ndaj sfidave të paraqitura nga udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
Ndërkohë, KFOR-i ka treguar se mund të reagojë dhe të përforcojë praninë e tij ushtarake kur situata e kërkon. Pas sulmit në Banjskë, NATO-ja shtoi trupat në Kosovë, ndërsa Serbia më pas reduktoi dislokimin e forcave të saj pranë kufirit.
Montgomery dhe Stradner argumentojnë se prania amerikane në Kosovë përbën më pak se 1 për qind të trupave të Shteteve të Bashkuara të dislokuara në Evropë.
Për këtë arsye, sipas tyre, mbajtja e këtij kontingjenti nuk do të cenonte kapacitetet ushtarake amerikane dhe as gatishmërinë e Pentagonit për të përballuar angazhime të tjera ndërkombëtare.
Mesazhi i tyre për Uashingtonin është i qartë: KFOR-i nuk duhet të preket nga planet për ristrukturimin e forcave amerikane në Evropë.
Sipas ekspertëve, disa qindra ushtarë amerikanë në Kosovë kanë një peshë shumë më të madhe strategjike sesa kostoja financiare që përfaqësojnë. Tërheqja e tyre do të dobësonte praninë amerikane në Ballkan, do të krijonte pasiguri për sigurinë e Kosovës dhe, mbi të gjitha, do t’i jepte Moskës një avantazh politik në një rajon ku ndikimi rus vazhdon të mbetet një shqetësim për Perëndimin.