Shkrime
KERCENIME DHE BOMBA, DON’T PANIC/ FRIKA BEHET ARMA ME E RREZIKSHME PER EUROPEN
Sulmet kibernetike, kërcënimet me bomba dhe pasiguria që po përhapet në Evropë, nxjerrin në pah cenueshmërinë e shoqërive tona. Paniku mund të shndërrohet në një armë destabilizimi, duke shumëfishuar efektet e kërcënimeve dhe duke nxitur reagime të pamatura. Përballja me këtë realitet kërkon që siguria ekonomike, ajo shoqërore dhe siguria kombëtare të trajtohen si pjesë të së njëjtës tërësi…
“Don’t Panic” (Mos u frikësoni). Nëse do të rekomandonim një libër për të kuptuar valën e kaosit mediatik dhe politik që ka shpërthyer pas një sërë ngjarjesh shqetësuese, nga sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet evropiane, te fushatat agresive të bombardimit me email-e që kanë shkaktuar kaos në hapësirën ajrore të Kontinentit të Vjetër dhe evakuimin e qindra shkollave në Itali, do të zgjidhnim “Udhëzuesin galaktik për autostopistët”.
Në romanin e famshëm të Dagllas Adamsit, kjo thirrje për qetësi është shtypur në kopertinën e librit imagjinar që protagonisti, Arhur Dent, përdor për të eksploruar universin. Një udhëtim që nis rastësisht, pak kohë pasi vetë Toka është shkatërruar.
“Mos u frikësoni”, duhet të jetë parimi udhëheqës si për Arur Dentin e Adamsit, ashtu edhe për Italinë dhe Evropën e vitit 2026. Sepse paniku prodhon pasiguri; pasiguria nxit reagime joproporcionale; ndërsa reagimet e pamatura nuk na ndihmojnë të kuptojmë shkaqet e vërteta të problemeve.
“Mos u frikësoni” mes tensioneve shoqërore dhe luftës hibride
Sot flitet shumë për “luftën hibride”. Ky term përmbledh një kërcënim asimetrik, të vështirë për t’u përcaktuar, të padukshëm e të pakapshëm, por njëkohësisht krejtësisht real, që synon të gërryejë vetë indin e shoqërive tona.
Një luftë që mund të zhvillohet nga aktorë shtetërorë, organizata terroriste apo entitete të tjera keqdashëse dhe që i jep përparësi sulmuesit. Ne nuk e dimë nëse pas këtyre veprimeve qëndron një strategji e mirëfilltë e koordinuar. Pa një analizë më të thelluar të të dhënave, do të ishte e vështirë të nxirrnim një përfundim të tillë.
Por në një klimë kaq të ndezur, paniku është njëkohësisht shenjë e një krize më të gjerë shoqërore dhe tregues i nevojës për një përgjigje të përbashkët në fushën e sigurisë. Gjatë javëve të fundit kemi parë një Evropë dhe një Itali të cenueshme.
Kjo është vënë re veçanërisht në rrafshin shoqëror: sheshe të mbushura me njerëz të rraskapitur nga kostoja e jetesës, inflacioni, tronditjet energjetike, humbja e perspektivës për të ardhmen dhe frika për qëndrueshmërinë e shërbimeve publike.
Në anën tjetër, qeveri me burime financiare gjithnjë e më të kufizuara, që përpiqen të gjejnë zgjidhje në kushtet e shtrëngimit buxhetor dhe shpesh zgjedhin t’u kundërvihen drejtpërdrejt protestave. Në këtë terren, shfaqen edhe kërcënime me origjinë të paqartë, përmes email-eve anonime, shpesh të hartuara në mënyrë amatore, si në rastin e shkollave italiane, apo sulmeve kibernetike.
Këto ngjarje, kanë nxjerrë në pah se sa e vështirë është të flitet për qëndrueshmëri shoqërore, kur vetë themelet e saj janë kaq të brishta. Shoqëritë janë të cenueshme ndaj operacioneve të ndikimit dhe manipulimit, të cilat i japin përparësi sulmuesit.
Hapësira ku përhapen pasojat e tyre është zgjeruar jashtëzakonisht. Ato kalojnë përmes platformave sociale, ushqehen nga përhapja zinxhir e frikës dhe shumëfishohen në kushtet e polarizimit shoqëror.
Dhe në fund, shoqëria jonë rrezikon t’i bëjë vetes pikërisht atë që druhet se mund t’i bëjë lufta hibride: të mos i nxjerrë jashtë toksinat që e helmojnë nga brenda, por t’i lërë ato të përhapen. Siç ka vënë në dukje analisti Emanuel Pietrobon, alarmi ndonjëherë mund të jetë vetë qëllimi, jo thjesht një mjet për të arritur diçka tjetër.
Paniku kolektiv dhe përhapja e frikës
Akademia e Psikologjisë bën një dallim të rëndësishëm mes panikut kolektiv, të përkufizuar si “një reagim intensiv dhe të sinkronizuar përballë një kërcënimi, real apo të perceptuar”, dhe epidemisë sociale, që përfshin përhapjen e emocioneve, sjelljeve, bindjeve dhe mënyrave të interpretimit të ngjarjeve.
Rreziku qëndron te mundësia që shoqëria, si një organizëm i gjallë, të tronditet nga ndërthurja e këtyre dy dukurive. Kështu, krijohet një prirje gjithnjë e më e fortë për të mos shkuar te rrënjët e problemeve dhe për të mos u marrë me shkaqet që i prodhojnë ato.
Sfida, përpara se të jetë çështje e luftës hibride, po zhvillohet në frontin e konkurrencës njohëse, ku demokracitë po luajnë një pjesë të rëndësishme të sigurisë së tyre kolektive. Duke komentuar në revistën “Formiche” brishtësinë e Italisë pas protestave të tetorit dhe debatin mbi ndikimin e mundshëm të aktorëve të huaj, profesori Alberto Pagani këmbëngulte në nevojën për të dalluar kërcënimin nga cenueshmëria.
“Kërcënimi është veprimtaria e kundërshtarit, e shprehur përmes rrjeteve të llogarive joautentike, përmbajtjeve të koordinuara, financimeve të fshehta dhe amplifikimit artificial”, vërente Pagani. Ndërsa “cenueshmëria është gjendja e objektivit të sulmit: varfëria, përjashtimi, mosbesimi dhe vetmia dixhitale e adoleshentëve”.
Një shoqëri e cenueshme, është terren pjellor për kaosin
Ky dallim vlen edhe për ngjarjet e ditëve të fundit, të cilat ushqehen nga i njëjti terren ku kanë lindur edhe protestat. Pamja e sotme është ajo e një shoqërie që duhet të shërojë përçarjet e veta: e shënuar nga pabarazitë dhe polarizimi politik, e goditur nga inflacioni, kriza energjetike dhe stanjacioni ekonomik, e frikësuar nga konfliktet globale dhe nga grumbullimi i pandërprerë i emergjencave.
Në epokën e emergjencës së përhershme, cenueshmëria është fija e këputur në indin shoqëror. Ajo mund të marrë trajtën e një periferie të izoluar të qytetit, të një infrastrukture të dobët të sigurisë kibernetike në një qendër tregtare apo të mospërgatitjes së punonjësve të shërbimeve publike përballë kërcënimeve të paparashikueshme.
Kështu krijohet një mjedis, ku kërcënimi bëhet gjithnjë e më i shumëllojshëm, i paparashikueshëm dhe i pakapshëm, por njëkohësisht merr trajta gjithnjë e më konkrete. Shoqëria shndërrohet në terren të përshtatshëm për luftën hibride dhe atë njohëse.
Aktorët e jashtëm mund të tundohen të ndërmarrin edhe operacione të ashtuquajtura “false flag”, pra veprime të maskuara, për të shfrytëzuar dobësitë ekzistuese. Dallimi mes formave të ndryshme të kërcënimit, është një detyrë me rëndësi parësore për sigurinë publike.
Kur shoqëria është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të shumëllojshme, por edhe ndaj reagimeve politike e operacionale të thjeshtëzuara, ekziston rreziku që të nxitet një cikël i ri destabilizimi. Pasiguria kolektive, mund të inkurajojë operacione gjithnjë e më agresive, ndërsa arkitektët modernë të kaosit mund të vënë në lëvizje një botë të tërë problemesh me anë të një leve digjitale. Ndonjëherë mjafton një e-mail i keqinterpretuar, i hedhur në një mjedis të mbushur me ankth, për të shkaktuar pasoja të mëdha. Kështu, paniku shndërrohet në indin lidhës përmes të cilit përhapet rreziku sistemik. Në fund, ai vetë bëhet një nga burimet kryesore të kërcënimit.
Të kapërcejmë “frikën nga frika”
Po si mund të dilet nga ky rreth vicioz? Para së gjithash, duke i parë format e ndryshme të sigurisë si pjesë të një tërësie. Ashtu si përgjigjja ndaj pakënaqësisë sociale nuk mund të jetë vetëm ndëshkuese, edhe reagimi ndaj operacioneve asimetrike nuk mund të jetë i thjeshtëzuar.
Identifikimi, hetimi dhe ndëshkimi i atyre që përfitojnë nga kaosi, është vetëm një pjesë e përgjigjes. Po aq i rëndësishëm është forcimi i qëndrueshmërisë së infrastrukturës shoqërore dhe të komunikimit, si dhe refuzimi për t’iu nënshtruar prirjeve fataliste.
Kjo ndihmon në parandalimin e përsëritjes së sulmeve dhe në përballimin e një kaosi ku aktorë shtetërorë, grupe asimetrike, rrjete kriminale apo individë të veçantë mund të shfrytëzojnë epërsinë që u jep pozita e sulmuesit.
Kur Frenklin Delano Ruzvelt, në kulmin e Depresionit të Madh, kujtonte se “e vetmja gjë që duhet të kemi frikë është vetë frika”, ai u bënte thirrje amerikanëve të përballeshin me “terrorin e paarsyeshëm, të pajustifikuar dhe të panjohur, i cili paralizon përpjekjet e nevojshme për ta shndërruar tërheqjen në përparim”.
Ai i drejtohej një fuqie të madhe ekonomike, të plagosur nga një krizë e paprecedentë. Situata e Italisë dhe e Evropës së sotme nuk është e krahasueshme me atë të Amerikës së vitit 1933. Por vala gjatë e Recesionit të Madh të vitit 2008 dhe e krizave që pasuan- kriza e borxheve sovrane, pandemia, rikthimi i luftërave në shkallë të gjerë dhe tronditjet energjetike – ende nuk është fashitur. Ajo ka prodhuar një krizë të thellë të kontratës shoqërore dhe një çorientim gjithnjë e më të madh, mbi të cilin mund të mbijnë lehtësisht forma të reja tensioni kolektiv.
Siguria në tri fronte që plotësojnë njëri-tjetrin
Shërimi i plagëve të një shoqërie që duhet të qepë sërish indin e saj të shqyer është sot një domosdoshmëri jetike. Kjo kërkon përgjigje ndaj pabarazive, mungesës së shërbimeve, margjinalizimit dhe polarizimit politik.
Po aq e rëndësishme është vëmendja ndaj shëndetit mendor, individual dhe kolektiv, përballë keqinformimit, tensioneve shoqërore dhe klimës kaotike në shkallë globale. Duhet një debat serioz mbi aftësinë e sistemit demokratik për të qëndruar i fortë përballë cenueshmërive të dukshme dhe kërcënimeve në rritje.
Kërkohet gjithashtu një bashkëpunim konkret që të rikthejë dialogun mes strukturave shtetërore, institucioneve, organizatave ndërmjetëse dhe qytetarëve. Siguria ekonomike, siguria shoqërore dhe siguria kombëtare nuk janë fusha të shkëputura nga njëra-tjetra.
Ato janë pjesë e së njëjtës sferë, përbërës të të njëjtit mekanizëm. Përballja me cenueshmërinë kolektive kërkon veprim në të tria këto fronte. Sot, më shumë se kurrë, kjo është garancia më e fortë që institucionet demokratike mund të kenë për t’u konsoliduar dhe për të lulëzuar.
Dhe kjo kërkon, mbi të gjitha, të veprojmë sipas parimit “Mos u frikësoni” – një udhëzim që në kohën tonë, duhet marrë më seriozisht se kurrë. – Shkruar nga Andrea Muratore