✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

KUR JU DJEG, GJENI NJE VEND DHE GJUANI/ BERISHA PERPLASET ME LALEN: JE GAZETARE E KEQPERDORUR

Një pyetje për dokumentet që kishte dorëzuar në SPAK lidhur me kallëzimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka ka shkaktuar përplasje mes Sali Berishës dhe gazetares Klodiana Lala. 

Sali Berisha i është hakërryer gazetares Klodiana Lala pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku ishte paraqitur sot në cilësinë e kallëzuesit për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.

Përplasja nisi pasi gazetarja e pyeti nëse kishte dorëzuar dokumente në SPAK për të mbështetur kallëzimin e tij ndaj gjyqtares. Berisha nuk dha një përgjigje konkrete për dokumentet, por iu drejtua gazetares me akuza personale.

“Disa gazetarë si Klodiana Lala bëjnë si… Ti si hiqesh si informante, kush t’i jep të dhënat? Pse nuk merr informacion nga unë? Sepse ti je e keqpërdorur”, iu drejtua Berisha.

Gazetarja reagoi duke i kujtuar se pyetjet lidheshin me detyrën e saj profesionale.

“Zoti Berisha, unë jam gazetare, qëllimi im është për të informuar opinionin publik”, iu përgjigj Lala.

Por kreu i Partisë Demokratike agravoi me akuzat, duke deklaruar se “Klodiana Lala është një person i keqpërdorur pa mëshirë”.

Debati:

Klodiana Lala: Zoti Berisha, se ju e nisni gjithmonë duke akuzuar mediat, meqenëse u pyetët si kallëzues për herë të parë, a dorëzuat dokumente që ju i keni bërë publike këtu përpara nesh?

Sali Berisha: Unë ato dokumente që kam pasur, i kam dorëzuar në padinë që kam bërë.

Klodiana Lala: Tani meqenëse hodhët akuza ndaj medias që po mbrojnë persona të caktuar, mund të na thoni kë po mbron media?

Sali Berisha: Tani, tani të them unë ty. Ke lënë përshtypjen, jo media, po Klodiana, ka lënë përshtypjen me ca informacione që funksionon si një enë sifon e informacioneve…

Klodiana Lala: Na e shpjego pak zoti Berisha se kur ju djeg, ju gjithmonë gjeni një vend ku të gjuani?

Sali Berisha: Mua nuk më djeg asgjë. Mua nuk më djeg asgjë nga mashtrimet e askujt. Por ti që hiqesh si informante e këtyre se ke të dhëna, kush t’i jep të dhënat ty që i nxjerr ti?

Klodiana Lala: Unë jam gazetare zotëri. Mund të jeni edhe ju një prej atyre që më informojnë…

Sali Berisha: Nga unë nuk merr kurrë ti informacione. Pse nuk merr ti kurrë informacione nga unë? Se ti je e keqpërdorur. Kaq. Vetëm kaq.

Klodiana Lala: Zoti Berisha vazhdo, unë jam mësuar me sulme nën brez sidomos nga politika. Vazhdo zoti Berisha unë jam gazetare…

Sali Berisha: Unë edhe njëherë po të them ty, ti ke ardhur për këtë qëllim, po unë të them ty, ti je e keqpërdorur. E kepërqdorur në shkallë ekstreme. Klodiana Lala është një person që keqpërdoret në mënyrë të pamëshirë.

Ata që të keqpërdorin kanë përgjegjësi, jo unë që respektoj gazetarët, por meqenëse e deshe, ta thashë. Ti je një nga gazetaret më të keqpërdorura zonjë dhe nuk të ka përgjegjësi as Sali Berisha, as opozita. Gjeje vetë përgjegjësinë.

Klodiana Lala: Jam përpara opinionit publik dhe mbaj përgjegjësi për çdo fjalë që them. Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis.

Sali Berisha: Bravo, ti je fytyra e re e gazetarisë.

Klodiana Lala: Jam që ç’ke me të. A dorëzuat sot dokumente si kallëzues? A dorëzuat ju dokumente si kallëzues?

Sali Berisha: Kam dorëzuar të gjitha dokumentet në kohën e duhur dhe kaq. Stop!

 

Advertisement