Aktualitet
Alarm për mashtrimet bankare, SMS-të e rreme synojnë të vjedhin të dhënat e qytetarëve
Një skemë mashtrimi përmes mesazheve telefonike po synon qytetarët, duke përdorur emrin e Bankës së Shqipërisë dhe pretendimin se llogaritë e tyre bankare janë bllokuar.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njofton se mesazhet përmbajnë lidhje që i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të falsifikuara, të cilat imitojnë faqet zyrtare të bankave të nivelit të dytë.
Qëllimi i kësaj skeme është përvetësimi i të dhënave të kartave bankare dhe kodeve të verifikimit, përmes të cilave mashtruesit mund të tentojnë të kenë akses në llogaritë e qytetarëve.
AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta që mbërrijnë përmes SMS-ve dhe të mos vendosin të dhënat e kartave apo kodet e sigurisë në faqe të panjohura. Çdo njoftim për bllokimin e një llogarie duhet të verifikohet vetëm përmes aplikacionit ose kanaleve zyrtare të bankës përkatëse.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike
͏Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një rast mashtrimi që përdorte emrin e Bankës së Shqipërisë për t’u dërguar qytetarëve SMS me pretendimin se llogaria e tyre bankare ishte bllokuar.
Link-u në mesazh i drejtonte përdoruesit te faqe të klonuara të disa bankave të nivelit të dytë, me qëllim vjedhjen e të dhënave të kartës dhe kodeve të verifikimit.
Si të mbroheni?
– Mos klikoni lidhjet në SMS që pretendojnë se llogaria juaj bankare është bllokuar.
– Mos jepni të dhënat e kartës apo kodet e verifikimit.
– Verifikoni çdo njoftim përmes aplikacionit ose kanaleve zyrtare të bankës suaj.
Banka e Shqipërisë nuk kërkon pagesa apo të dhëna kartash nga qytetarët.
Nëse keni vendosur të dhënat tuaja në një nga këto faqe, kontaktoni menjëherë bankën për të marrë masat e nevojshme.