Politike
“Rama në burg, Berisha në burg”, kreu i PD-së flet për skenarin kundër opozitës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe aktorë të tjerë politikë se, sipas tij, janë përpjekur të dobësojnë opozitën dhe të zëvendësojnë Partinë Demokratike me një opozitë të kontrolluar.
Duke komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, Berisha tha se demokratët i janë bashkuar lëvizjes protestuese dhe se, pas ditëve të para, sipas tij, ata përbënin shumicën numerike në sheshet e protestës.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së pretendoi se thirrjet kundër Ramës dhe Berishës, si dhe sloganet që e cilësonin PD-në si opozitë të shitur, ishin pjesë e një skenari për të goditur dhe përçarë opozitën. Ai e krahasoi këtë, sipas interpretimit të tij, me një skenar serb dhe akuzoi kundërshtarët se synonin të impononin një opozitë sipas interesave të tyre.
“Çfarë ndodhi? Edi Rama, armiq të tjerë të opozitës shqiptare dhe të sovranitetit të shqiptarëve, mafia më e rrezikshme e Europës mendoi se do ta përdorë atë lëvizje të madhe për të instaluar në rrugë dhe sheshet e Tiranës skenarin serb dhe besuan verbërisht se do mund të zëvendësonin Partinë Demokratike me opozitë të kontrolluar apo opozitë siç donin ata. Ndaj dhe dolën me moton ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe Partia Demokratike, parti e shitur, opozitë e shitur.
Besuan verbërisht se me këto qëndrime po kryqëzonin, po gozhdonin Partinë Demokratike. Mirëpo, unë u them atyre, hajde shihni Gjallicën! Kur të mposhtni Gjallicën, ju mund të mposhtni Partinë Demokratike. Ata, një grusht i vogël që mund t’u vësh çdo epitet, nga mëngjesi gjer në darkë me thirrjet e porositura. Cili ishte qëndrimi ynë? Se kjo ishte ana e tyre. Po ana jonë, e demokratëve, cili ishte?
Mbështetje e plotë dhe totale për protestën! Përjashto tre katër ditët e para që ata kanë qenë, demokratët kanë qenë më të paktë, po pastaj aty demokratët kanë qenë shumicë numerike çdo ditë në asaj proteste. A mund të ishim ne tjetërkund, përveçse tek qytetari që protestonte? Jo dhe jo. Ne kemi një moto: I pari qytetari. Pra, ne e duam këtë flamur, por ne duam qytetarin të parin. Ne nuk vëmë kurrë qytetarin të parin, para tij.
Ndaj dhe ne u bashkuam me ta dhe u bashkuam me një kod të hekurt: Asnjë përpjekje për të kapur protestën. Asnjë kritikë për protestën, përveç opozitë e opozitës. Asnjë kusht, por prani maksimale. Me qindra mijëra demokratë, shumë prej tyre të zemëruar nga ato që dëgjonin, shkuan aty çdo natë. Patën mjaft njerëz të cilët kritikonin, pse shkohet aty, si ka mundësi t’i thërret, bën thirrje të marrim, të jemi aty ne, të çosh demokratët kur ata thërrasin kundra teje.
Gabuam ne? Cili ishte qëndrimi ynë? I lavdëruam ata? Jo! I vlerësuam dhe i shpallëm armiq të Partisë Demokratike. Se dua ta kemi të qartë, një gjë është e sigurt, Zoti të vret po nuk i the armikut armik“, tha Berisha.