✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Alarm për motin, reshje të dendura dhe rrezik përmbytjesh, ja qarqet më të rrezikuara

Reshje të dendura shiu dhe shtrëngata pritet të përfshijnë disa qarqe të Shqipërisë gjatë pasdites së kësaj të hëne, ndërsa situata më problematike parashikohet në veri të vendit. Sipas vlerësimit të Institutit të Gjeoshkencave, krahas reshjeve të forta, në zonat malore ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe rrëshqitjes së dherave.

Shkodra, Kukësi dhe Lezha janë qarqet ku priten problematikat kryesore. Reshjet do të shtrihen gjithashtu në Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, ku në zona të veçanta mund të kenë intensitet të lartë dhe të shoqërohen me shtrëngata.

Vëmendje e veçantë kërkohet edhe në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit, ku grumbullimi i ujit dhe përmbytjet e lokalizuara do të varen edhe nga kapaciteti i rrjetit të kanalizimeve për të përballuar prurjet.

Në qarqet e tjera parashikohen reshje kryesisht të dobëta. Ndërkohë, për ditën e martë sinjalizohet përmirësim i kushteve atmosferike, me reshje të dobëta në të gjithë territorin.

Temperaturat do të mbeten relativisht të buta, me maksimum deri në 20 gradë Celsius në zonat e ulëta dhe minimum rreth 6 gradë në zonat malore. Era do të jetë mesatare, por pritet të forcohet përgjatë vijës bregdetare.

Advertisement