Politike
SPAK dërgoi për gjykim dosjen Balluku/ Bardhi: Drejtësia iu dorëzua korrupsionit
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas dërgimit për gjykim të dosjes së Belinda Ballukut në GJKKO dhe vendimit të SPAK për të mos paraqitur një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit të saj.
Bardhi pretendon se Prokuroria e Posaçme ka zbatuar standard të dyfishtë në hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe se, me këtë vendimmarrje, drejtësia i është dorëzuar ndikimit politik. Sipas tij, SPAK është mbështetur te arsyetimi i shumicës parlamentare që rrëzoi kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut, duke lejuar që vendimi politik të ndikojë në kufijtë e hetimit.
Në reagimin e tij, Bardhi akuzon kryeministrin Edi Rama se përcakton politikën penale të SPAK-ut dhe se vendos, sipas tij, se kush mund të arrestohet dhe kush jo. Ai e cilëson dërgimin e dosjes në gjykatë pa një kërkesë të re për heqjen e imunitetit si një cenim të pavarësisë së drejtësisë dhe të parimit të barazisë para ligjit.