Rajon
Nuk u paraqit në polici/ Gjykata e Beogradit lëshon urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, është shpallur në kërkim nga autoritetet serbe, pasi nuk është paraqitur në policinë e Beogradit, në kundërshtim me masën e sigurisë të vendosur ndaj tij për çështjen e sulmit në Banjskë të Kosovës.
Sipas BIRN, Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin e tij dhe ka lëshuar urdhër-arrest, pasi Radoiçiç nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor “Savski Venac”. Ai kishte detyrimin të raportonte në polici dy herë në muaj, në datat 1 dhe 15, për të konfirmuar vendndodhjen e tij.
Paraqitja e fundit e tij në polici ishte regjistruar më 1 nëntor. Ndërkohë, pasaporta e Radoiçiçit ndodhet pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, si pjesë e masave të vendosura gjatë procedimit penal.
Rasti merr një tjetër dimension pas deklaratave të ish-inspektorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, Milan Zvezdanović, i cili deklaroi për televizionin N1 se kishte marrë informacione jozyrtare se Radoiçiç ishte larguar nga Serbia dhe kishte shkuar në Moskë. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet serbe.
Sipas procedurave ligjore në Serbi, mosrespektimi i detyrimit për paraqitje në polici mund të çojë në vendosjen e paraburgimit dhe lëshimin e një urdhër-arresti. Ndërsa shpallja në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit kërkon një procedurë të veçantë.
Radoiçiç akuzohet për organizimin dhe përfshirjen në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.