Politike
Caktohet data e operacionit të Veliajt/ Drejtoria e Burgjeve: Ndërhyrja nuk është urgjente…
Erion Veliaj do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, më 23 nëntor, në Spitalin Rajonal Memorial Fier, për shkak të dëmtimit në kavilien e majtë. Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka bërë publike edhe procedurat mjekësore të ndjekura deri në përcaktimin e datës së operacionit.
Sipas njoftimit zyrtar, kryebashkiaku i Tiranës do të paraqitet në spital të dielën, më 22 nëntor, për analizat laboratorike dhe konsultat përgatitore përpara ndërhyrjes.
Problemet shëndetësore të Veliajt janë ndjekur nga stafi mjekësor i institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier që prej momentit të pranimit të tij. Më 6 nëntor ai u vizitua nga një ortoped i Spitalit Rajonal Fier, ndërsa një ditë më vonë iu nënshtrua rezonancës magnetike dhe radiografisë së kavilies së majtë.
Pas shqyrtimit të ekzaminimeve, mjekët rekomanduan ndërhyrje kirurgjikale, por sqaruan se ajo nuk përbënte urgjencë mjekësore. Më 18 nëntor u zhvillua edhe një konsultë tjetër me dy mjekë ortopedë në ambientet e burgut, ku u konfirmua mundësia e kryerjes së operacionit në Spitalin Memorial Fier.
Drejtoria e Burgjeve bën me dije se Veliaj ka kërkuar edhe një mendim të dytë nga një mjek specialist i zgjedhur prej tij. Sipas institucionit, mjekut i ishte mundësuar një vizitë më 18 nëntor, por ai nuk është paraqitur.
Megjithatë, DPB thekson se mjeku i përzgjedhur nga Veliaj mund të jetë i pranishëm gjatë procedurave paraoperatore më 22 nëntor ose gjatë ndërhyrjes kirurgjikale një ditë më pas.
Institucioni deklaron se do të vijojë të garantojë kujdesin shëndetësor për Veliajn, në respekt të të drejtave dhe dinjitetit të tij.