✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Nga Barcelona drejt Athinës me 15 kg drogë, arrestohet 65-vjeçari shqiptar

Një 65-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, pasi në valixhen e tij u zbuluan 15.2 kilogramë kanabis të llojit ‘skunk’. Arrestimi u krye në orët e para të mëngjesit të së shtunës, gjatë kontrolleve të specializuara nga autoritetet antidrogë greke.

I moshuari kishte mbërritur në Athinë me avion nga Barcelona, ndërsa u ndalua pas verifikimeve dhe analizimit të të dhënave nga policia. Gjatë kontrollit të bagazhit, efektivët zbuluan dy paketime me kanabis të kultivuar në mënyrë hidroponike, me peshë totale 15 kilogramë e 200 gramë. Sipas hetimeve, droga dyshohet se kishte si destinacion shpërndarjen në tregun grek. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestruan gjithashtu 100 euro, 4.200 lekë shqiptare dhe një telefon celular.

65-vjeçari rezulton të ketë qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve për shkelje të legjislacionit mbi të huajt. Policia greke dyshon se ai ishte pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare që merrej me futjen e lëndëve narkotike në Greqi përmes transportit ajror. Pas arrestimit, ai u dërgua përpara autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur përmasat e aktivitetit të dyshuar kriminal dhe personat e tjerë të përfshirë./

Advertisement