Bota
Trump shton presionin ndaj Teheranit: Marrëveshje ose goditje të reja
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë pranë fitores ndaj Iranit, por se ende po i japin Teheranit mundësinë të zgjedhë rrugën diplomatike. Gjatë një bisede telefonike me ushtarakët amerikanë të dislokuar jashtë vendit, me rastin e Ditës së Falënderimeve, Trump tha se një marrëveshje mund të shmangë humbje të tjera jetësh, por shprehu dyshime për gatishmërinë e udhëheqjes iraniane.
“Fitorja është e arritshme në Iran. Po u japim të gjitha mundësitë për të arritur një marrëveshje dhe për të shpëtuar jetë njerëzish, por nuk jam i sigurt nëse do të përfitojnë nga kjo mundësi”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump la të kuptohet se kohëzgjatja e angazhimit ushtarak amerikan do të varet nga vendimmarrja e tij, ndërsa konfirmoi se prania e forcave amerikane në rajon do të vijojë. Ai përsëriti se një nga objektivat kryesore të Uashingtonit është të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.
Gjatë komunikimit, presidenti vlerësoi edhe rolin e forcave detare në zbatimin e bllokadës ndaj Iranit, të cilën e cilësoi si më të suksesshmen në historinë detare. Ai bëri të ditur gjithashtu se SHBA-ja ka përforcuar praninë ushtarake në rajon me dërgimin e një aeroplanmbajtëseje tjetër.
Pas bisedës me ushtarakët, Trump konfirmoi se kishte zhvilluar kontakte me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ai paralajmëroi se, nëse rifillojnë veprimet ushtarake, SHBA-ja mund të godasë Malin e Kamzës, pranë kompleksit bërthamor të Natanzit në Iran.
Sipas deklaratave të tij, deri më tani nuk është konstatuar aktivitet i rëndësishëm në këtë objekt. Megjithatë, Trump përsëriti se Uashingtoni nuk do të lejojë që Teherani të zotërojë armë bërthamore.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta, ndërsa administrata amerikane po ndërthur presionin ushtarak dhe ekonomik me përpjekjet për të arritur një marrëveshje diplomatike.