✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

VELIAJ NUK DORËZOHET! Pas 3 rrëzimeve, çon SPAK-un në Kushtetuese

Erion Veliaj nuk tërhiqet nga beteja ligjore kundër SPAK-ut. Kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar për herë të radhës Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin e tre vendimeve të gjykatave që nuk pranuan pretendimet e tij për shkelje procedurale gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas regjistrit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, çështja i është caktuar si relator gjyqtarit Asim Vokshi.

Veliaj kërkon shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimit të GJKKO-së të 1 shtatorit 2025, vendimit të Apelit të Posaçëm të 20 tetorit 2025 dhe vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të 19 shkurtit 2026.

Të tria këto vendimmarrje kanë rrëzuar kërkesat e kryebashkiakut për konstatimin e shkeljeve procedurale dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të SPAK-ut në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024.

Në thelb të kundërshtimit të tij qëndron pretendimi se Prokuroria e Posaçme ka kryer veprime hetimore përpara regjistrimit të procedimit penal, duke shmangur, sipas Veliajt, afatet ligjore dhe kontrollin gjyqësor.

Pas refuzimit nga të tria shkallët e gjyqësorit, kryebashkiaku kërkon tashmë ndërhyrjen e Kushtetueses për të shqyrtuar nëse vendimet e mëparshme kanë cenuar të drejtat e tij kushtetuese. Ai kërkon gjithashtu që shpenzimet gjyqësore t’i ngarkohen subjektit të interesuar.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Gjykata Kushtetuese do ta pranojë kërkesën dhe çfarë qëndrimi do të mbajë për pretendimet e Veliajt mbi mënyrën se si SPAK ka zhvilluar hetimet.

Advertisement