Pinknews
Monika Kryemadhi thyen rregullin e rreptë të produksionit, zbulon opinionisten e “BBV Albania”
Monika Kryemadhi do të jetë sërish pjesë e “Big Brother VIP Albania”, këtë herë në edicionin e gjashtë të spektaklit, ku pritet të rikthehet në rolin e opinionistes.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kryemadhi gjatë një interviste në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku ka zbuluar se është kontaktuar nga produksioni për të firmosur kontratën.
“Sot më thirrën për të firmosur kontratën dhe je e para që po e bëj këtë njoftim”, i tha ajo moderatores Sidorela Gjoni, duke konfirmuar kështu ftesën për t’u rikthyer në panelin e spektaklit.
Gjatë bisedës, Kryemadhi tregoi se eksperienca në edicionin e kaluar kishte qenë mjaft pozitive për të, duke theksuar se kishte shijuar jo vetëm rolin si opinioniste, por edhe bashkëpunimin me stafin e programit.
“E kam shijuar si eksperiencë dhe mendoj se ndaj edhe njerëzit më kanë pasur qejf. Të mos harrojmë që edhe ambienti me të cilin punon të jep komoditet”, u shpreh ajo.
Sipas Kryemadhit, një nga arsyet që e ka shtyrë të pranojë mundësinë e rikthimit është pikërisht atmosfera e punës dhe marrëdhënia e krijuar me ekipin e produksionit.
Ajo pranoi se roli i opinionistes kërkon angazhim, por e cilësoi si privilegj faktin që është ftuar sërish për të komentuar zhvillimet dhe dinamikat mes banorëve.
Deklarata e saj zbulon kështu një nga emrat që pritet të jenë pjesë e edicionit të gjashtë të “Big Brother VIP Albania”, për të cilin Top Channel ka nisur tashmë përgatitjet dhe promovimin.
Ndërkohë, mbetet të bëhen publike detajet e tjera të sezonit të ri, përfshirë përbërjen e plotë të panelit të opinionistëve dhe emrat e personazheve që do të hyjnë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.