Aktualitet
Simptomat e zgjatura të SarsCov2 shkaktarë të sindromës së rrallë – Mjeku shqiptar: Ja si ta dalloni
Gjithnjë e më shumë mjekët që nga fillimi i pandemisë po ndeshen me sindroma nga më të ndryshmet që prekin organizmin e njeriut kur ai bie në kontakt me virusin.
Simptomat e zgjatura tek pacientët e prekur lidhen me një sindromë të quajtur POTS (Postural orthostatic tachycardia), që është një çrregullim i sistemit nervor autonom që mund të ketë një larmi shkaqesh, por shkaku më i zakonshëm është një virus.
Duke u nisur nga pacientët që po hasin çdo ditë, mjekët besojnë se Covid-19 po shkakton këtë çrregullim tek pacientët, duke sjellë një sërë simptomash që kanë të bëjnë me ngritjen në mënyrë të papritur të rrahjeve të zemrës, dobësi fizike, marramendje, shpërqendrim.
Por ajo që po vënë re mjekët është se tek pacientët e prekur me Covid, kjo sindromë i mundon pacientët dhe është shumë e rrallë që të shërohet plotësisht.
Në fakt kjo sindromë për mjekët nuk është e panjohur sepse përpara Covid sipas studimit më të fundit në 2018 të botuar në “Journal of Internal Medicine”, POTS vlerësohet të prekë deri në 1% të popullsisë së botës.
Çrregullimi mund të prekë burra dhe gra, por shumica e rasteve me POTS diagnostikohen tek gratë midis moshës 15 dhe 50 vjeç, ndërkohë që në Amerikë kjo sindromë prek zakonisht 1 deri në 3 milionë amerikanë.
Në një lidhje ‘Skype’ për ‘Wake Up’ nga në Filadelfia (SHBA), mjeku i njohur neurokirurgu Gentian Toshkëzi tregoi cilat janë simptomat e këtij çrregullimi.
“Është një sindromë që përfshin shumë simptoma dhe që prek atë pjesë të sistemin nervor, që është ai autonom.
Është ajo pjesë që siguron mbarëvajtjen e shumë organeve dhe përshtatjen e mirëfunksionimit të punës së organeve të ndryshme në mënyrë të pavetëdijshme, duke mos përfshirë vetëdijen.
Në këtë sindromë përfshihet ai çrregullim i përshtatjes apo i rregullimit të volumit të gjakut me ndryshimin e pozicionit të trupit.
Nga pozicioni shtrirë, kalimin në pozicionin ndenjur apo në pozicionin në këmbë siguron një rritje apo çon në një çrregullim që shoqërohet me një rritje të të rrahurave të zemrës.
Kjo paraqitet në një mos furnizim të mirë të trurit me gjak dhe të organeve të tjera dhe paraqitet me simptomat përkatëse.
Simptomat janë mosfurnizimi i mirë me gjak i sistemit nervor. Lodhje e tejzgjatur që përkeqësohet me zhvillimin e aktivitetit fizik. Marrje mendsh, dhimbje koke, e cila është karakteristike. Dhimbje koke dhe shpatullash, aritmi, marrje fryme, të vjella”, sqaroi mjeku.

