✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Arrihet dialogu? Habit Blendi Gonxhja: Takova të rinjtë, mbajtëm shënime, erdhën me dëshirë…

Ministri Blendi Gonxhja ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime me të rinj, mes tyre edhe pjesëmarrës në protestat e fundit, në kuadër të përpjekjeve për të hapur një dialog mbi shqetësimet e tyre. Në një intervistë, Gonxhja tha se të rinjtë kanë folur hapur për problemet që hasin dhe për humbjen e besimit te institucionet.

Sipas ministrit, takimet nuk kanë pasur karakter formal apo imponues, ndërsa shqetësimet e ngritura janë dokumentuar dhe pritet të përkthehen në një plan konkret veprimi. Gonxhja bëri të ditur se procesi i dialogut është paraprirë edhe nga takime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mund të shtrihet edhe në qytete të tjera.

“Aty kishte djem dhe vajza që kanë qenë vazhdimisht në protestë. Ata nuk përfaqësonin një grupim të caktuar, por veten e tyre. Ata folën hapur, patëm një dialog shumë konstruktiv. Me shumë përulësi e kujdes, jam munduar që të ishim aty për të kuptuar gjithmonë e më shumë nga sentimenti i atij brezi, si e shohin ata atë që artikulohet si humbje e besimit te institucionet. Ata shohin mure, kanë shqetësime me mosdëgjimin e shumë prej institucioneve e strukturave që janë shumë afër tyre, por shpesh jo të depërtueshme prej tyre. Shqetësimet e tyre u shprehën në mënyrën më të artikuluar të mundshme, jam i impresionuar nga sa vlerë kishte ky takim.

Tryeza  është e barabartë. Të gjithë kanë folur pa asnjë lloj limiti ore për çfarëdo kanë pasur, për eksperiencat dhe shqetësimet e tyre, pa asnjë kufizim. Ishte formë shumë e bukur dialogu. Kemi një listë me shënime. Kjo do të përkthehet në plan veprimi, që më pas mund të përkthehet në një verifikim, ndoshta edhe në qytete të tjera. Ka pasur takime edhe javën e shkuar dhe përpara saj nga përfaqësues të OJF-ve. Unë mbuloj 4 portofolë që kanë të bëjnë me rininë. S’ka qenë një takim as detyrues, as moralizues, as të kishte shtet e qeveri që i flet dhe u jep mend të rinjve. S’ka qenë një takim që ne mund të justifikonim pozicionin tonë”, tha Gonxhja.

Duke komentuar situatën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në spitalin e burgut të Fierit, Gonxhja shprehu solidaritet për gjendjen e tij shëndetësore. Ai theksoi se pjesëmarrja e Veliajt në Asamblenë e Partisë Socialiste nuk është një vendimmarrje që i takon kësaj force politike, por lidhet me raportin ligjor mes tij dhe institucioneve që administrojnë të drejtat e tij.

Ministri shmangu komentet mbi përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliajt, por e cilësoi paraburgimin e kryebashkiakut një problem serioz për drejtimin e Tiranës. Sipas tij, mungesa e Veliajt në zyrë prej një periudhe të gjatë ka ndikuar në eficencën e menaxhimit të kryeqytetit dhe mund të ketë edhe kosto elektorale.

I pyetur për mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës, Gonxhja mohoi të ketë një projekt apo ambicie personale për këtë post. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e kontributit nëse Partia Socialiste do t’ia kërkonte, duke theksuar se përparësi mbetet zgjidhja e problematikave aktuale të kryeqytetit.

“Jam shumë i keqardhur që kemi këtë avari që rëndon mbi eficencën e menaxhimit të kryeqytetit. Ne jetojmë në këtë qytet. E njoh shumë mirë bashkinë e Tiranës dhe aparatin e saj. Kjo avari e rëndë që kryetari është në paraburgim, i kushton shumë kryeqytetit. Ka edhe kosto elektorale sepse qyteti ka goxha kohë që nuk ka kryetarin e vet në zyrë. Nuk zëvendësojmë dot gjykatat”, tha Gonxhja.
I pyetur nëse do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, ministri tha se s’ka asnjë ambicie e projekt personal, por do t’i përgjigjej Partisë Socialiste nëse do t’ia kërkonte diçka të tillë.

“Gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, lutur, që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos. Unë jam një prej shumë deputetëve të PS, jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën. Si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, projektin. Nëse PS do të kishte një projekt, nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi. Ka shumë rëndësi që të kemi zgjedhje të mira, të kemi zgjidhur këtë problematikë që kemi para nesh dhe që duhet ta kanalizojmë në një energji që t’i japë të mira vendit dhe mos ta dëmtojë Tiranën”, tha Gonxhja.

Advertisement