Bota
Axios: Netanyahu dhe Trump shqyrtojnë “raundin e dytë” të sulmeve kundër Iranit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka ngritur mundësinë e një vale të re sulmesh ndaj Iranit gjatë një takimi të zhvilluar këtë të hënë me presidentin amerikan Donald Trump, raportoi Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy burime të tjera të njohura me përmbajtjen e bisedës.
Sipas raportimit, të dy liderët e konsideruan luftën 12-ditore të zhvilluar në qershor si një “sukses të madh”, por Netanyahu ka argumentuar se sulme të tjera mund të jenë të nevojshme për të penguar Iranin të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake dhe bërthamore.
Trump deklaroi pas takimit se nëse Irani tenton të rindërtojë programin e tij bërthamor, Shtetet e Bashkuara do ta shkatërrojnë sërish, megjithëse theksoi se do të preferonte arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin.
Megjithatë, burimi nënvizoi se sfida kryesore mbetet përcaktimi i asaj që do të konsiderohej realisht si “rindërtim” i këtij programi.
Ndryshe nga SHBA-të, të cilat goditën vetëm objektivat bërthamore, Izraeli gjatë konfliktit të qershorit synoi edhe kapacitetet konvencionale të Iranit, veçanërisht programin e raketave balistike.
Në javët e fundit, zyrtarët izraelitë kanë ngritur alarmin se Teherani po përpiqet të rindërtojë këto kapacitete.