Connect with us

Aktualitet

Dokumentari holandez zbulon historinë e Thanas Bakos

Thanas Bako, 52-vjeçari nga Saranda, i cili u arrestuar në 31 maj të këtij viti në Athinë, pas një operacioni të policisë greke dhe Europol, si i dyshuar për lëvizjen dhe pastrimin në Holandë të rreth 500 milionë eurove të trafikantëve ndërkombëtarë të drogës, vazhdon të jetë i izoluar në burg në Holandë pas ekstradimit nga Greqia. Seanca e parë gjyqësore ndaj tij është zhvilluar dhe është në pritje të seancës së radhës. I konsideruari nga Europoli si “një pastrues i njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë”, ai u arrestua pas një hetimi të FBI pas zbulimit të komunikimeve të tij në aplikacionin “ANOM” ku vepronte me porosi të trafikantëve në Dubai e Holandë për të transferuar miliona euro nga një vend në tjetrin. Së fundmi, kanali “Holland Crime Boulevard” në Youtube ka transmetuar një dokumentar lidhur me historinë e sarandiotit 52-vjeçar, që edhe pse i “zhdukur” prej vitesh nga jeta publike në qytetin bregdetar, njihej prej viteve ‘90 për lidhjet e tij me trafikantët sarandiotë që trafikonin kryesisht marijuanë nga Saranda në Greqi, por në një rast ishte identifikuar edhe për lidhje me trafikantë anglezë droge. Edhe pse me asnjë precedent penal në Shqipëri e Greqi ku jetonte së fundmi, pas kthimit nga Kanadaja e Holanda, veprimtaria e tij u zbulua pikërisht nga hetimet e FBI e më pas policisë holandeze në bashkëpunim me Europol. Sipas dokumentarit, Thanas Bako kishte krijuar prej 10 vitesh një rrjet korrierësh që transportonte para. Korrierët kryesisht ishin hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash. Këta ishin njerëz jo të dyshimtë, gjithnjë në lëvizje që edhe nëse parkonin furgonat anës rrugës, askush nuk do të dyshonte, sepse do të mendonin se ishin aty për të kryer punën. Furgonat kishin vende të improvizuara ku fshiheshin paratë. Gjëja më e rëndësishme për Bakon ishte që këta persona mos të kishin rekorde kriminale, sepse policia mundet që përmes targës së makinën të identifikojë pronarin dhe precedentët e tij.

Klienti: “Kam një dërgesë për 2 milionë euro. Dua ti ndaj në 2 për siguri. 2 korrierë të ndryshëm, ata nuk mund ta dinë. Të dyja në të njëjtin vend. 12.00 1 makinë, 12.10 1 makinë”

Thanas Bako: “Do ta bëj diferencën 30 minuta, është më mirë. Njëri djalë nuk e kalon tjetrin. Njëri 12.00, tjetri 12.30. Dy makina. Kjo është për mua më e sigurt”.

Një vend i përafërt diskutohet dhe Thanasi dërgon dy korrierë aty. Vetëm minutën e fundit klienti tregon vendin e saktë ku do të merren paratë. Ishte një restorant i quajtur “Bruis” në Blaricum. Teksa njerëzit po hanin drekë, 1 milionë euro u transferuan dy herë në secilën nga makinat në parking. Një orë pasi u morën paratë, një nga korrierët i dërgon Thanasit mesazh:

Korrieri: “Përshëndetje shok, jam i sigurt, sapo arrita. Do t’i numëroj paratë tani”

Pas kësaj ai dërgon fotografi të parave she thotë se janë 1 milionë euro. Thanasi përgjigjet: “Faleminderit”. Mesazhet e tjera tregojnë përqindjen që ky korrier merr.

Thanas Bako: “0.2 % komision. Transporti me vlerë 1 milionë do të japi 2000 euro”.

Korrieri: “Është shumë mirë. Jam i vendosur të bëj më të mirën”.

Thanas: “Kjo është ajo që dua të dëgjoj”.

NGJARJA E DATËS 23.02.2021

Dy vëllezër, në dy furgonë të ndarë shkojnë në një magazinë. Njëri futet direkt brenda ndërsa tjetri parkon jashtë. Ata nuk e vunë re një furgon të parkuar para tyre. Shoferi që parkoi jashtë tentoi të hynte në magazinë por u godit me shkelm nga një person i maskuar. Dy persona të tjerë erdhën dhe morën peng dy vëllezërit. Pengmarrësit detyruar vëllezërit të hynin në zyrën e magazinës dhe t’u jepnin “dicka” që ata donin.

Ata kontrolluan magazinën dhe një nga furgonët por nuk zbuluan gjë. Furgoni gri i pengmarrësve tip “Renault” me targa FN-615-ZM u gjet më pas. Ata kishin hequr targat dhe kishin tentuar ta digjnin por kishin dështuar. Një oficere policie që foli në një emision investigativ më pas, tha se viktimat nuk e kishin idenë pse ishin marrë peng dhe donin të grabiteshin. Sipas oficerët, viktimat ishin të pafajshme dhe me shumë mundësi pengmarrësit ishin në adresën e gabuar. Por ajo ishte gabim.

“Viktimat” dinin ekzaktësisht çfarë donin pengmarrësit. Ata kishin ardhur për miliona e miliona euro. Kjo magazinë shërbente si një nga pikat e grumbullimit të Thanas Bakos. Një person që e mori me qera më pas këtë magazinë tha se “çdo gjë është e siguruar mirë. Shumë luksoze për punën që supozohej se bëhej. Shikoni kamerat dhe butonat e alarmit. Kuzhina është e fshehur në fund dhe muret janë të veshura për izolim zhurme. Pse duhet të bëhej kjo”. Pse? Për të numëruar 165 milionë e 718 mijë e 500 euro pa zhurmën e numëruesve të parave që punonin me orë të tëra dhe mund të alarmonin komshinjtë.

Kjo magazinë ishte një nga të dyja vendndodhjet që Thanas Bako përdorte si “banka”. Dy personat që u morën peng ishin dy korrierët e tij më të besuar. U deshën vetëm 200 transaksione për të krijuar atë shume parash. Pra një transaksion mesatar kishte vlerë 828.000 euro. Sapo policia zbuloi se ishte “mashtruar”, bëri bashkë copat e “puzzle” dhe kuptoi se këta persona punonin për Thanasin dhe kështu investiguan më tej.

Aktualitet

Kryepiskopi Anastas uron Pashkët: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë. Në përkujtimin e vuajtjeve të Jisu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepiskopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë’, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Mesazhi i plotë:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Continue Reading

Aktualitet

Ermal Hasimja: Dyshimi i madh, skenari kush mund të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë

Analisti Ermal Hasimja ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe rolin e SPAK.

Sipas tij  sistemi politik në Shqipëri ka një logjikë shumë të brishtë. Mes tjerash ai tregoi dyshimin që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

“Mentaliteti i popullit shqiptar është i tillë. Në momentin që të sheh se bie nga fiku aty të shkel më këmbë. Ky është një sistem që funksionon brenda kësaj logjike që është shumë e brishtë.

Mund të ndodh që të ketë diçka të fortë ndaj sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë një bërthamë që ndoshta në të ardhmen funksionojnë realisht. Në këtë  vend që është Shqipëria terreni për dyshime është jashtëzakonisht pjellor”-tha Hasimja.

Continue Reading

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING