Politike
BE i jep mesazhin Shqipërisë: Keni ende “detyra shtëpie”
Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Mesazhi vjen nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, në prag të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, që do të mbahet këtë të martë pasdite në Luksemburg.
Në një deklaratë për mediat, ambasadorja theksoi se Bashkimi Evropian po punon ngushtë me autoritetet shqiptare për avancimin e negociatave, por nënvizoi se mbeten ende kapituj për t’u mbyllur dhe se afati ambicioz i propozuar nga pala shqiptare kërkon angazhim intensiv.
“Ne po punojmë ngushtë me autoritetet shqiptare. Unë, së bashku me ekipin tim, jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces. Mbeten ende disa kapituj për të mbyllur. Kemi përpara një afat kohor ambicioz, të propozuar nga pala shqiptare. Përmbushja e këtij afati kërkon punë intensive në disa fusha”, u shpreh de Sousa.
Shteti i së drejtës dhe mjedisi, sfidat kryesore
Ambasadorja e BE-së veçoi shtetin e së drejtës dhe çështjet mjedisore si fusha ku Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për të përmbushur standardet evropiane.
Ajo theksoi se procesi i integrimit kërkon punë të vazhdueshme dhe rezultate konkrete, duke sugjeruar gjithashtu që Shqipëria të marrë shembull nga përvoja e Portugalisë, vendi i saj, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian prej katër dekadash.
“Përpjekjet duhet të vazhdojnë sa i përket shtetit të së drejtës dhe çështjeve mjedisore; ka shumë fusha ku puna duhet të vijojë. Ata gjithashtu mund të marrin shembull nga vendi im, Portugalia, e cila është pjesë e BE-së prej 40 vitesh”, deklaroi ambasadorja.
Shqipëria mbyll një tjetër kapitull të negociatave
Konferenca e 10-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri pritet të shënojë mbylljen e Kapitullit 20, që lidhet me politikën e ndërmarrjeve dhe politikën industriale.
Ndërkohë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian do të vijojë edhe me vendet e tjera kandidate. Mali i Zi pritet të mbyllë Kapitullin 18, për statistikat, dhe Kapitullin 19, për politikën sociale dhe punësimin. Deri tani, ky vend ka hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave, nga të cilët 18 janë mbyllur.
Edhe Ukraina dhe Moldavia pritet të avancojnë në negociatat e tyre, me hapjen e grupeve të tjera të kapitujve.
Komisioni Evropian pritet të prezantojë udhërrëfyesin e zgjerimit
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet më 28 tetor, kur Komisioni Evropian parashikohet të prezantojë një udhërrëfyes zyrtar me afate kohore për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të tri shteteve të tjera që kryesojnë procesin e zgjerimit.
Për Shqipërinë, ky proces mbetet një nga objektivat kryesore strategjike, por deklaratat e ambasadores së BE-së nënvizojnë se përmbushja e reformave dhe rezultateve të kërkuara do të jetë vendimtare për realizimin e afatit të synuar të anëtarësimit.