Aktualitet
“Duket se edhe flamurin e konsiderojnë armë”/ Denoncimi i protestuesit pas ndalimit
Një prej protestuesve të ndaluar gjatë tubimit të 28 Nëntorit ka denoncuar mënyrën se si është trajtuar nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Në një prononcim për News24, ai tregoi se ishte paraqitur në komisariat për të marrë flamurin kombëtar, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Sipas protestuesit, duket se edhe flamuri po konsiderohet si një mjet i rrezikshëm nga efektivët.
Ai rrëfeu gjithashtu se gjatë protestave kundër qeverisë është ndëshkuar me 5-6 gjoba për bllokim rruge, duke deklaruar se nuk ka ndërmend t’i paguajë ato.
Gjatë prononcimit, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve nga veriu në jug që të marrin pjesë në protesta, ndërsa shprehu keqardhjen për situatën në vend.
“Unë kam qenë me flamur. Më janë bërë 5-6 gjoba. Nuk kam plan t’i paguaj. Këta kanë abuzuar. U bëj apel shqiptarëve të çohen nga veriu në jug për fëmijët e vet. Më vjen keq për vendin tim”, u shpreh ai për News24.