✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Edhe Churchill u bashkua me Stalinin”/ Berisha shtrinë dorën për demokratët: Kemi bërë gabime

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Berat takimin e radhës në kuadër të turit politik “Foltorja e Ripërtëritjes”, ku ka përsëritur thirrjen për bashkimin e demokratëve dhe forcave opozitare.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te ndasitë brenda opozitës, duke argumentuar se përballë asaj që ai e cilësoi si “rrezik ekzistencial” për Shqipërinë, bashkimi duhet të jetë përparësi. Për të ilustruar qëndrimin e tij, ai përmendi bashkëpunimin e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht dallimeve të thella politike dhe ideologjike mes tyre.

“Përballë çdo rreziku ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi! Edhe Churchill u bashkua me Stalinin”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha kundërshtoi gjithashtu krahasimet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si dhe mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, këto krahasime synojnë të dobësojnë opozitën. Ai mbrojti historikun e PD-së, duke përmendur orientimin perëndimor të vendit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO.

Kreu i demokratëve pranoi se partia ka bërë gabime, por deklaroi se kontributi i saj lidhet me proceset demokratike dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë.

Në vijim, Berisha e lidhi thirrjen për bashkim me situatën politike në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, ndikim të krimit dhe keqmenaxhim të pasurive kombëtare. Ai pretendoi se këto zhvillime po nxisin largimin e shqiptarëve nga vendi dhe po cenojnë interesat e tyre.

“Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajde të bashkohemi”, u shpreh Berisha.

Takimi në Berat është pjesë e turit “Foltorja e Ripërtëritjes”, përmes të cilit kreu i PD-së po zhvillon takime me mbështetës dhe demokratë në qytete të ndryshme të vendit.

Advertisement