Aktualitet
Fusha e përplasjeve/ Uashingtoni hyn në boshllëkun energjetik të Evropës në Ballkan
Prej se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka marrë detyrën vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Brukseli kanë pasur përplasje për tregtinë, për mbështetjen që i jepet Ukrainës dhe për shpenzimet ushtarake.
Tani, një fushë e re përplasjesh është Ballkani Perëndimor.
Rajoni, i pozicionuar mes interesave të BE-së dhe SHBA-së, si dhe ndikimit të Rusisë dhe Kinës, është kthyer në një objekt gare i fuqive të mëdha, për shkak të pozicionit të tij strategjik dhe ekonomisë së brishtë.
Asgjë nuk e shpjegon këtë më qartë sesa marrëveshjet e fundit të investitorëve amerikanë për projekte energjetike në Shqipëri, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë – vende që synojnë të shkëputen nga varësia ndaj furnizimeve ruse.
“Presidenti Trump po hap një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore”, tha sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, në Forumin e Biznesit të Iniciativës së Tri Deteve, që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë.
Përplasja e agjendave u bë e dukshme javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara realizuan investimin e tyre më të madh publik në Ballkanin Perëndimor prej vitesh, duke nënshkruar disa marrëveshje shumëmiliardëshe për eksportin e gazit dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.
Pikë qendrore është gazsjellësi Ndërlidhja Jugore, me vlerë 1.5 miliard dollarë, mes Bosnjës dhe Kroacisë, i cili e lidh Bosnjën si me terminalin kroat të gazit të lëngshëm në ishullin Kërk, ashtu edhe me rrjetin më të gjerë të gazit në Evropë.
Interesi ekonomik i SHBA-së në rajon është nxitur më tej nga miratimi i Aktit të Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor nga Kongresi amerikan, në muajin shkurt. Ky akt, mes tjerash, i angazhon Shtetet e Bashkuara që të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik.