Shkrime
Gati ‘Lëvizja Shqipëria e Re’/ Arben Malaj: Protesta, konkurruese në zgjedhjet e parakohshme
Shkrim nga Arben Malaj
Rrëzimi i Ramës nuk mjafton; protesta mund të vetëshkatërrohet nga populizmi, përçarja dhe mungesa e një plani për “Shqipërinë e Re”…
Kujdes! Protesta paqësore dhe atdhedashëse mund të “vetëvritet” nga populizmi euforik.
Kjo për disa arsye kryesore:
- Mosqartësimi i fenomenit të ngritjes së socializmit të gjeneratës së re, referuar edhe këtij artikulli, duke e mbingarkuar protestën me shumë mesazhe që zbehin objektivitetin dhe sidomos misionin e saj.
- Dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, sepse qeveria e tij, thjesht personale, është e kalbur. Çdo gjë e kalbur bie.
- Misioni i vetëm i kësaj proteste duhet të jetë “Shqipëria e Re”.
- Ky mision duhet qartësuar se çfarë nënkupton dhe si do të realizohet.
- Ky mision nuk mund të jetë thjesht një paralele e protestave, por një vizion dhe objektiv i realizueshëm.
- 6. Objektivat duhen qartësuar mirë, sa më thjeshtë dhe sa më lehtësisht të kuptueshme nga çdo protestues dhe çdo shqiptar: cilët janë të menjëhershëm dhe afatshkurtër, cilët janë afatmesëm dhe cilët janë pjesë e vizionit afatgjatë.
- Objektivat duhet të jenë të mirëstrukturuara, duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, sociale, ekonomike dhe buxhetore.
- Kjo kërkon që për këto objektiva jo të lehta të fillojnë të angazhohen ekspertë shqiptarë, nga diaspora, por edhe të huaj, që bashkohen në platforma online, të mirëpërdorin mundësitë e jashtëzakonshme të inteligjencës artificiale dhe të hartojnë draft-dokumentet për reformat specifike.
- Vetëm mbi bazën e këtyre dokumenteve për reformën e thellë politike duhet të përgatitet draft-kontrata e protestuesve me gjithë shqiptarët.
- Kjo punë duhet të fillojë pa vonesë, sepse rrit besueshmërinë dhe mbështetjen publike përpara, gjatë dhe sidomos pas protestave.
- Kujdes nga populizmi euforik! Bazuar edhe në artikullin e mësipërm, premtimet euforike janë “gropa të thella” që fundosin si lëvizjet e reja shoqërore, ashtu edhe ato politike.
- 12. Protestat tona duhet të nxjerrin mësime nga “Pranvera Arabe”, e cila rrëzoi “mbretëri familjare” dhe “mbretëri personale” qindra miliardë dollarëshe, por dështoi në misionin për të ndërtuar të nesërmen e premtuar.
- 13. Lëvizja e protestuesve duhet të bëjë shumë kujdes nga vetëkënaqësia, nga përçarja apo edhe nga keqpërdorimi prej “dy vëllezërve siamezë” që mbretërojnë mbi vrasjen e shpresës dhe të së ardhmes së të gjithë shqiptarëve.
- 14. Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror, por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme. Lëvizja e protestuesve duhet bërë për të parandaluar dorëheqjen tinëzare të Ramës, i cili mund të largohet përkohësisht jo për të ikur vërtet, por për t’u rikthyer:
(i) me më shumë agresivitet;
(ii) me më shumë hakmarrje primitive.
E fundit, të dashur protestues atdhetarë, paqësorë dhe të mirëarsimuar:
Të përkushtuar ndaj misionit historik, ajo që presin shqiptarët nga ju është një dhe vetëm një:
“Shqipëria e Re”.
Suksese dhe mirënjohje!
Titulli i origjinalit: Populizmi mund ta vrasë protestën më shpejt se Edi Rama”, 14 këshilla për protestuesit