Connect with us

Rajon

Harçenko: Sanksionet amerikane ndaj NIS-it janë vendim politik, Rusia do të vazhdojë të mbështesë Beogradin

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, ka deklaruar se sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) janë një vendim “krejtësisht politik” dhe ka theksuar se Rusia do të vazhdojë ta mbështesë Beogradin.

Sipas diplomatit rus, “Gazpromi” dhe Rusia mbeten partnerë të besueshëm të Serbisë.

“Dhe, sigurisht, nuk kemi ndërmend t’i kthejmë shpinën Serbisë në këtë situatë. Brenda bashkëpunimit tonë dypalësh, Serbia do ta ruajë sigurinë e saj energjetike, ashtu si deri tani”, deklaroi ambasadori rus.

Ai theksoi se tani, kur janë vendosur sanksionet, më e rëndësishmja është që kjo të pritet me qetësi, pa emocione të panevojshme.

“Vendimi i palës amerikane është marrë prej kohësh, më pas është shtyrë disa herë, dhe në fund të fundit është një vendim plotësisht politik. Nuk ka asgjë që lidhet me ekonominë, energjinë apo ndonjë gjë tjetër – është vendim politik”, theksoi Bocan-Harçenko.

Sa i përket NIS-it, ai shtoi se ambasada ruse është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e kompanisë, të cilët janë përgatitur mirë, duke e ditur se ky vendim do të merrej herët a vonë.

“Ata kanë rezerva dhe kapacitet për t’u përshtatur”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara përfshinë NIS-in në listën e sanksioneve në janar, me synimin për të ndaluar financimin e luftës në Ukrainë përmes kompanive ruse të energjisë. Edhe pse struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, kontrolli mbetet kryesisht në duart e kompanive ruse.

Advertisement