Aktualitet
SPAK, korrupsioni dhe administrata publike, sfidat që mund të vonojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së
Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por përparimi në procesin teknik nuk do të thotë se vendi i ka zgjidhur problemet kryesore institucionale. Një analizë e Parlamentit Europian për ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi evidenton arritjet në reformën në drejtësi dhe përafrimin me politikat europiane, por njëkohësisht ngre shqetësime për korrupsionin, krimin e organizuar, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e demokracisë.
Sipas dokumentit, Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027. Vendi hapi negociatat në korrik 2022 dhe gjatë viteve 2024-2025 hapi të gjashtë grupkapitujt negociues. Në maj 2026 përmbushi kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, ndërsa në korrik të po atij viti shënoi mbylljen provizore të tre kapitujve të parë.
Një nga zhvillimet që vlerësohen në analizë është reforma në drejtësi e vitit 2016, veçanërisht procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Dokumenti veçon gjithashtu punën e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të personave të ekspozuar politikisht.
Megjithatë, kërkohet që hetimet të përkthehen në rezultate përfundimtare gjyqësore, veçanërisht në çështjet e profilit të lartë. Shqetësime mbeten edhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe rreziku i ndikimit politik mbi institucionet e zbatimit të ligjit.
Analiza ndalet edhe te polarizimi politik, duke vënë në dukje se konfliktet mes palëve dhe përqendrimi i pushtetit mund të dobësojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës. Në vlerësim përmenden gjithashtu shqetësime për pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.
Probleme evidentohen edhe në administratën publike. Sipas dokumentit, politizimi i emërimeve, mungesa e kapaciteteve, lëvizjet e shpeshta të punonjësve dhe zbatimi jo i qëndrueshëm i meritokracisë pengojnë funksionimin e administratës. Për këtë arsye, kërkohet përmirësimi i rekrutimit mbi bazën e meritës dhe kufizimi i ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta.
Në politikën e jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Anëtarësimi në NATO dhe orientimi euroatlantik përmenden si elementë që forcojnë pozicionin e vendit në raport me partnerët europianë.
Mbështetja e qytetarëve për integrimin mbetet gjithashtu një nga pikat e forta. Sipas të dhënave të Balkan Barometer të cituara në analizë, përkrahja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka qëndruar vazhdimisht mbi 80 deri në 90 për qind. Megjithatë, dokumenti thekson se kjo mbështetje nuk përjashton pakënaqësitë për qeverisjen, transparencën dhe cilësinë e demokracisë.
Në këtë kontekst përmenden edhe protestat e qershorit 2026 kundër projektit zhvillimor në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Sipas analizës, shqetësimet fillestare për transparencën, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës publike u shndërruan në një debat më të gjerë për qeverisjen dhe respektimin e parimeve demokratike.
Në planin ekonomik, dokumenti veçon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA, e cila synon të lehtësojë transfertat ndërkufitare dhe të ulë kostot për qytetarët e bizneset. Vendi përfiton gjithashtu nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku financimi lidhet drejtpërdrejt me realizimin e reformave.
Sipas shifrave të paraqitura në analizë, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara dhe ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga fondi potencial prej 922 milionë eurosh për periudhën trevjeçare.
Mesazhi kryesor i Parlamentit Europian është se Shqipëria ka bërë përparim në procesin e integrimit, por ritmi i negociatave nuk duhet ngatërruar me përmbushjen reale të standardeve europiane. Objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 kërkon rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e institucioneve të pavarura dhe garantimin e shtetit të së drejtës.