Kosova
Kryetari i LDK-së: Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti kërkoi nënshtrim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova shkoi në zgjedhje pasi, siç tha ai, “pushteti me 51% kërkoi nënshtrim”.
Sipas Abdixhikut, situata erdhi deri në këtë pikë pasi ish-presidenten Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e pa vetëm si kuorum e jo si një presidente “dinjitoze”. Sipas tij, kjo është ajo që i dallon nga LVV.
“Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.
Abdixhiku u ndal edhe te emri i Vjosa Osmani, duke thënë se LDK e ka parë atë si presidente të denjë, por sipas tij, nuk janë dhënë votat e nevojshme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai tha se tash vendi hyn në fazën e zgjedhjeve dhe paralajmëroi angazhim të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
Abdixhiku u pyet ndër të tjera se a ka mundësi për bashkëpunim me Kurtin pas zgjedhjeve të reja. Ai tha se me me veprimet e fundit politike, Kurti tregoi se sa i pangopur është për pushtet dhe i paaftë për kompromis.
Nga ana tjetër, anëtaria e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se “reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil ‘karate’ dhe për ta permbysur rendin kushtetues”.
Ajo shkroi në Facebook se përkundër kësaj, kryeministri në detyrë “bëri aq sa mundi”, duke iu referuar një konference pas mesnate të mbajtur në Presidencë.