Bota
Miçigani çertifikon fitoren e demokratit Joe Biden
Zyrtarët e zgjedhjeve në Miçigan çertifikuan të hënën fitoren e demokratit Joe Biden me 154,000 vota më shumë në këtë shtet mes përpjekjeve këmbëngulëse të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Bordi i Zyrtarëve të Zgjedhjeve të Shtetit, i përbërë nga dy republikanë dhe dy demokratë, konfirmoi rezultatet në një votim 3-0, me një abstenim. Aleatët e zotit Trump dhe kandidati republikan humbës për Senatin, John James e kishin nxitur panelin të vononte votimin për dy javë për të kontrolluar votat në qarkun me shumicë demokrate Wayne, që përfshin Detroitin.
Ky vendim është një tjetër pengesë në përpjekjet e Presidentit Trump për të përdorur mjete të pazakonta për të minuar rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe vjen edhe pasi ai bëri përpjekje të drejtpërdrejta për të ndikuar tek zyrtarët republikanë të këtij shteti, duke i ftuar ata në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.
Sipas ligjit të Miçiganit, zoti Biden siguron të 16 votat elektorale. Ai fitoi me 2.8 përqind epërsi – një diferencë më e madhe se në shtetet e tjera ku zoti Trump po konteston rezultatet si në Xhorxha, Arizona, Uiskonsin dhe Pensilvani.
Disa aleatë të Presidentit Trump kishin shprehur shpresën se ligjvënësit e shtetit mund të ndërhynin për të zgjedhur elektorë republikanë në shtetet që nuk çertifikojnë. Kjo lëvizje që nuk kishte gjasa për sukses, nuk është më e mundur në Miçigan.
Përpjekjet e zotit Trump për të shmangur pranimin e pashmangshëm zyrtar të humbjes së tij – po përballen me një rezistencë gjithnjë e më të ashpër nga gjykatat dhe republikanët, ndërsa kanë mbetur vetëm tre javë deri në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor për të çertifikuar fitoren e zotit Biden. Sfidat e zotit Trump dhe akuzat e pabazuara për konspiracion dhe mashtrim të përhapur janë pritur një nga një me refuzim ndërsa shtetet vazhdojnë të konfirmojnë rezultatet e tyre.
“Detyra e bordit sot është shumë e qartë,” tha Aaron Van Langevelde, nënkryetari Republikan i Bordit të Zgjedhjeve të Miçiganit. “Ne kemi detyrën t’i vërtetojmë këto zgjedhje bazuar në votat që kemi. Kjo është shumë e qartë.”
Zyra e Zgjedhjeve në Miçigan ka rekomanduar që rezultatet e 3 nëntorit të çertifikohen.
Norm Eisen, një ekspert i së drejtës kushtetuese dhe ish-këshilltar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve thotë se nuk kishte asnjë bazë ligjore për asnjë alternative tjetër përveç vërtetimit të zgjedhjeve.
“Ky është mandati i qartë i ligjit të shtetit,” tha ai. Zoti Eisen hodhi poshtë pretendime të ndryshme pse një shyrje mund të jetë e nevojshme, përfshirë nevojën për një kontroll ose kohë për të hetuar të ashtuquajturat zona “të pabalancuara”.
“Arsyet që ata kanë paraqitur për të bërë çdo gjë tjetër përveç çertifikimit, janë krejtësisht të rreme. Ata nuk kanë asnjë peshë ligjore ose faktike sipas ligjit,” shtoi Eisen.
Trump është përpjekur të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve përmes gjykatave, por duke mos patur sukses me këtë metodë, kaloi në përpjekjet personale për të ndikuar tek ligjvënësit lokalë për t’i bindur ata që të injorojnë votën popullore dhe të emërojnë elektorë republikanë, një strategji që do t’i nxirrte amerikanë në rrugë për protesta, sipas ekspertëve të ligjit zgjedhor.
Në Pensilvani, një gjykatës konservator republikan rrëzoi përpjekjen më të madhe ligjore të fushatës Trump me një vendim të ashpër që shtronte pyetjes se për ç’arsye duhej të shfqizonte votën e 7 milionë vetëve pa prova për të mbështetur pretendimet e fushatës dhe një argument juridik që në rastin më të mirë ishte i dobët.
Por avokatët ende shpresojnë të blokojnë çertifikimin në atë shtet, duke bërë një apel në Gjykatën e Apelit të Qarkut të 3-të në Filadelfia, e cila urdhëroi avokatët të paraqisnin një kërkësë të hënën por nuk pranuan të dëgjonin argumente gojore.