Politike
Nuk kemi mbyllur dot as kapitullin e parë/ Abilekaj: Mungesa e transparencës rrezikon integrimin në BE
Enton Abilekaj ngriti shqetësime mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi mungesën e transparencës nga ana e qeverisë lidhur me zhvillimet në institucionet vendimmarrëse, duke vënë në dukje vështirësitë që po has vendi në marrëdhëniet me strukturat evropiane si dhe rrezikun e vonesave në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave. Sipas tij, ritmi aktual i procesit ngre pikëpyetje mbi realizueshmërinë e objektivave ambicioze të vendosura nga qeveria për anëtarësimin në BE.
Enton Abilekaj: Sigurisht që është mungesa e transparencës, mundohet të na japë neve një ide tjetër nga ajo që po ndodh atje në të vërtetë. Sepse një qeveri që është e qetë në detyrën që ka, në premtimin që ka bërë, në misionin që ka vendosur këtij mandati, do të ishte shumë më e hapur për të treguar se çfarë po ndodh me IBAR-in dhe çfarë po ndodh në atë institucion i quajtur ‘Koela’, që është në varësi të Këshillit Evropian dhe që vendos për hapat që çdo vend kandidat duhet të marrë, kontrollon zbatueshmërinë, zbatimin dhe bëjnë diskutimet e herëpashershme. E vërteta është që në ‘Koelë’, Shqipëria marrëdhëniet i ka shumë të vështira, por duhet të kemi parasysh që Koela është një këshill i cili mblidhet dy herë në javë dhe vazhdimisht dinamika e diskutimeve të Koelës është një dinamikë shumë e shpeshtë dhe e shpejtë.
Për shembull sot duhet të jetë një nga mbledhjet e Koelës, pastaj është një të enjten ose të premten. Pra, këto mbledhje janë ato që marrin në shqyrtim çështjet koherente, i diskutojnë, japin pastaj mundësinë shteteve të negociojnë, të rregullojnë çfarë kanë për të rregulluar, që pastaj të ketë një vendim. Çdo vendim që merret këtu kalon pastaj në një fazë më të lartë, që është Këshilli i Ambasadorëve, pastaj kalon te Këshilli i Ministrave të Jashtëm deri te Këshilli Evropian, që është Këshilli i kryetarëve të shteteve. Kjo është hierarkia që na çon deri aty. Por ne jemi në fazën kur IBAR-i nuk është miratuar dhe jemi në fazën kur Këshilli Evropian mund të mblidhet së shpejti dhe nuk ka ende asnjë gjë nga Koela, që është faza e parë. Dhe kjo është një rrezik shumë i madh që ne këtë radhë, as këtë radhë në tremujorin e parë, për tremujorin e parë të vitit, mos kemi një vendim për mbylljen e kapitullit të parë që janë themeloret. Këtë gjë duhet të na e shpjegojë qeveria. Pse ne jemi në këtë fazë sot? Pse ne që mendojmë të mbyllim 32 kapituj brenda vitit 2027, të mos kemi, mos mbyllim dot as kapitullin e parë në tremujorin e parë të një viti. Në qoftë se ecim me këtë ritëm, çfarë do ndodhë më pas? A mund të arrijmë për dy vjet ne të mbyllim të gjithë kapitujt e integrimit?
Kështu që besoj që kjo është një ndalesë shumë e rëndësishme, është një ndalesë domethënëse që për të cilën qeveria nuk mund të bëjë sikur nuk ekziston dhe nuk mund të na thotë më që jemi në një fazë diskutimesh. Që ne jemi në një fazë diskutimesh dhe që diskutimet e anëtarësimit janë shumë të vështira dhe që kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria janë akoma më të vështira sesa kushtet e anëtarësimit. Ne këtë e dinim dhe prandaj nuk e besuam që për dy vjet do të mbylleshin të gjithë kapitujt dhe prandaj nuk e besuam që deri në 2029-ën Edi Rama mund ta fuste Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Por ai që e premtoi këtë gjë, ai që doli kundër dyshimeve dhe kundër bindjeve të të gjithëve se këto gjëra mund të plotësoheshin kaq shpejt, ai duhet të na thotë ne çfarë po ndodh. Pse u vonuan këto?