Connect with us

Bota

Papa Leo XIV bën thirrje: Askush mos të largohet nga shtëpia për shkak të luftës

Papa Leo XIV ka bërë së fundmi thirrje për t’i dhënë fund dhunës në rajonet e prekura nga konfliktet në mbarë botën, gjatë një lutjeje për paqe në Vatikan.

Ai theksoi se askush nuk duhet të detyrohet të largohet nga shtëpia për shkak të luftës, bombardimeve apo pasigurisë.

Leo deklaroi se etja për pushtet dhe gjuha e urrejtjes duhet t’i lënë vendin drejtësisë dhe së vërtetës, duke nënvizuar se nuk duhet të derdhen më lot të pafajshëm.

“Paqja është e mundur edhe në këtë epokë tensioni dhe konflikti. Ajo bëhet realitet kur zgjedhim të dëgjojmë britmat e atyre që vuajnë, fëmijëve të pafajshëm, prindërve të dëshpëruar, të burgosurve të keqtrajtuar, refugjatëve dhe të gjithë njerëzve që kërkojnë vetëm një gjë: paqe”, tha Papa.

Në mesazhin e tij, Papa Leo XIV vuri theksin edhe te përgjegjësia individuale, duke theksuar se secili mund të japë kontributin e vet për ndërtimin e një shoqërie më paqësore. Ai bëri thirrje për shmangien e dhunës, si asaj verbale ashtu edhe fizike, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Paqja nuk është një teori që testohet në laborator, nuk është një iluzion naiv dhe as një biznes që menaxhohet për interesa personale. Ajo është një angazhim i përditshëm që duhet të udhëheqë veprimet tona”, u shpreh ai në përfundim të lutjes së rruzares në Vatikan.

Advertisement