Aktualitet
Përshkallëzohet situata te Ministria e Arsimit, policia qëllon me plumba gome
Protestat kundër qeverisë vijojnë këtë të shtunë, më 17 tetor, në ditën e pestë të mobilizimit të studentëve, të rinjve dhe qytetarëve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Vëmendja është përqendruar sërish te Ministria e Arsimit, ku protestuesit janë mbledhur për të vijuar kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas raportimeve mediatike, në protestë janë bashkuar studentë, nxënës dhe qytetarë të tjerë.
Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të shoqëruara me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë ditëve të mëparshme janë raportuar dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve në kryeqytet, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobote me ujë për të shpërndarë turmat.
Në terren janë pozicionuar forca të shumta policie, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit janë vendosur edhe autobotet, në kuadër të masave të sigurisë për menaxhimin e situatës. Ndërkohë, godina e ministrisë vijon të mbajë shenjat e dëmtimeve të shkaktuara gjatë incidenteve të ditëve të mëparshme.
Protestat nisën të hënën, më 12 tetor, ndërsa në ditët në vijim u intensifikuan, duke përfshirë edhe bojkotimin e mësimit nga nxënës dhe studentë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Përveç kërkesave për përmirësimin e kushteve në arsim dhe rritjen e mbështetjes për të rinjtë, protestuesit kanë ngritur shqetësime për korrupsionin dhe mungesën e mundësive për punësim. Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Situata vijon të ndiqet nga afër, ndërsa mbetet për t’u parë nëse protesta e ditës së pestë do të zhvillohet pa përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.