Politike
Protesta e PD, Hasimja: Opozita i bën për të tërhequr vëmendjen! Duhet të bindin se kanë shanse të vijnë në pushtet
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi miratojë dy ditë më parë me votë unanime vendimin e Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve elektorale në PD (KOKOE) për të lënë kandidat në zgjedhjet e 23 majit vetëm Sali Berishën.
Ermal Hasimja, politolog përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ tha se Sali Berisha ka një mbështetje brenda PD që është testuar gjatë këtyre viteve.
“Është vështirë të gjeni një garë serioze gjatë këtyre viteve. Ka një kulturë në vendin tonë ku pushteti i kryetarit ekzistues është shumë i vështirë për t’u rrëzuar. Lidërët në Shqipëri ka një jetëgjatësi në pushtet dhe kjo është rrënjosur tek shqiptarët. Brenda PD mund të ishin 50 vetë që mund të kandidonin pasi i plotësojnë kriteret, po nuk e kanë bërë, nuk kanë aplikuar. Po të dilnin nuk i ndalon njeri. Berisha ka një mbështetje brenda PD që është testuar gjatë këtyre viteve. Dhe ata që nuk e kanë qenë dakord kanë gjetur një mënyrë për tu larguar. Megjithatë na mbetet të shohim zgjedhjet”, tha Ermal Hasimja.
Sa i përket protestës së sotme të opozitës, Hasimja tha se nuk pret asnjë gjë të re. Sipas tij Berisha i bën këto protesta për të tërhequr vëmendjen veçanërisht të ndërkombëtarëve.
“Protestat bëhen me shumë për vëmendje. Edhe molotovët janë më shumë për të tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Nuk ka protesta mrekullibërëse. Opozita duhet të bëjë më shumë se protestat. Ata duhet të bindin elektoralin e vet, të bindin që kanë mundësi të vijnë në pushtet”, tha ndër të tjera ai.