Politike
Qeveria është në panik përballë protestave/ Gjoni: Sali Berisha po sulmohet për të frikësuar qytetarët
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka akuzuar qeverinë për ushtrim dhune ndaj opozitës dhe protestuesve paqësorë gjatë protestës së fundit të organizuar nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas Gjonit, megjithëse protesta ishte paqësore, reagimi i policisë ka qenë i ashpër dhe i pajustifikuar, duke përfshirë bllokimin e bulevardit nga forcat speciale, përdorimin e mjeteve të rënda si autobotët me ujë me presion dhe gazin lotsjellës për të penguar marshimin e opozitës.
Gjoni theksoi se dhuna ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, dhe përfaqësuesve të PD-së synon intimidimin e qytetarëve, ndërsa kritikoi edhe reagimin e dobët të faktorit ndërkombëtar ndaj situatës.
Gjoni:
Është e vërtetë, pasi ashtu siç edhe ju e theksuat, kemi qenë pjesëmarrës në këtë protestë paqësore të Partisë Demokratike dhe shihet se nga ana e pushtetit aktual, rezulton që ky pushtet është nervozuar dhe po kthehet në një sulm banditesk ndaj opozitës shqiptare dhe rastet të cilët juve keni transmetuar dhe rastet e televizioneve të tjera, tregon që megjithëse protesta ishte paqësore dhe një marshim në bulevardin Dëshmorët e Kombit, rezulton që nga ana e policisë kishte dhunë për të mos lejuar vazhdimin e një marshimi paqësor në këtë bulevard.
Dhe bllokimi i bulevardit nga ana e forcave speciale, e FNSH-së, por edhe e mjeteve të tjera të rënda, siç ishte rasti i makinerive me ujë me presion, apo hedhja edhe e gazit lotsjellës, tregon që ky pushtet është i nervozuar për shkak se gjërat nuk po i ecin mirë dhe për shkak të denoncimeve të cilët opozita po realizon. Nga krahu tjetër, ashtu siç keni vënë re, ka një dhunë të shtuar ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe kjo dhunë ka filluar që nga protesta e parë deri në protestën e fundit dhe në protestën e fundit u duk qartë dhuna ndaj liderit të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishës, i cili topat e ujit ishin të përqëndruar ndaj tij dhe njerëzve të cilët ishin afër tij. Çfarë tregon? Që kanë humbur edhe qetësinë, përfaqësuesit e policisë. Dhe për një arsye tjetër.
Është hera e katërta ose e pesta herë, është e katërta dhe e pesta herë që lideri i opozitës sulmohet pa kryer asnjë lloj veprimi. Çka tregon që nëpërmjet sulmit ndaj liderit të opozitës, kërkojnë që të intimidojnë edhe qytetarët e tjerë, që policia, në rastin konkret, për të krijuar përshtypjen tek njerëzit e mbështetësit e Partisë Demokratike, që kur sulmohet lideri i opozitës, kur sulmohen përfaqësuesit e opozitës, kur sulmohen deputetët e opozitës, nuk pyesin për qytetarët e thjeshtë. Pra, po dhunohet opozita me urdhër politik, në rastin konkret dhe partiak.
Dhe policia e shtetit është kthyer në një shkop të pushtetit politik dhe të mazhorancës aktuale dhe nuk po funksionon mbi bazën e atij ligji funksional dhe organik që policia e shtetit sot ka. Dhe kjo është edhe një tregues që gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë ashtu siç pritet dhe ashtu siç propagandohet edhe nga kryeministri Rama, por njëkohësisht edhe nga mazhoranca e sotme e cila është në pushtet, por njëkohësisht edhe nga disa faktorë ndërkombëtarë të cilët janë bërë njësh me pushtetin.
Dhe ajo që më ra në sy ishte reagimi i dobët dhe i pamjaftueshëm i faktorit ndërkombëtar ndaj dhunës së përdorur ndaj protestuesve paqësorë, ndaj liderit të opozitës, por njëkohësisht, ashtu siç u evidentua edhe nga reporterët pa kufij, edhe dhuna ndaj gazetarëve në përgjithësi, por edhe gazetarëve të syrit në protestën e fundit. Çka tregon që pushteti ka humbur logjikën dhe qetësinë.