Connect with us

Politike

Rama mbledh grupin e PS pak orë para vizitës në Bruksel

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar socialist, pak orë para se të niset për në Bruksel ku do të pritet nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Kosta.

Në mbledhjen e grupit do të jetë e pranishme edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Mbledhja vjen pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk mundi të marrë një vendim për kërkesën e kryeministrit Rama, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv.kryeministres nga detyra.

Një ditë më parë në podcastin “Flasim”, kreu i qeverisë tha se do ta vijojë betejën për këtë çështje.

“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi Rama.

Advertisement