Connect with us

Politike

‘Rama përmes SPAK sakrifikon ‘gurë’ pa vlerë, godet ‘mbretin dhe mbretëreshën’ e opozitës’

Sistemi i ri i drejtësisë në Shqipëri është vënë nën akuza të rënda për funksionimin me dy standarde, një praktikë që sipas analistëve duket se favorizon sistematikisht pushtetin aktual dhe godet kundërshtarët e tij politikë. Andi Bushati u shpreh se ky nuk është një fenomen i rastësishëm apo pasojë e gabimeve profesionale, por një strategji e mirëmenduar politike që ka përfitues të qartë. Sipas tij, ky standard i dyfishtë manifestohet përmes një sërë veprimesh të cilat kanë prekur drejtpërdrejt opozitën, ndërsa këto veprime interpretohen si pjesë e një përpjekjeje për të përdorur drejtësinë si një mjet për të dobësuar opozitën. Bushati nuk e kurseu ironinë, ku tha se pushteti sakrifikon “gurë” pa vlerë, ndërkohë që godet “mbretin dhe mbretëreshën” e kampit kundërshtar. Për analistin, Shqipëria rrezikon një kthim pas në kohë, në një sistem ku drejtësia nuk është e pavarur, por shndërrohet në një “armë politike” në duart e pushtetit për të eliminuar kundërshtarët.
Një drejtësi me dy standarde, kush përfiton nga këto dy standarde? Se mund të kesh dy standarde, po ke një drejtësi difektoze, jo profesionale, që i marrin vendimet njëherë kështu, njëherë ashtu, njëherë të bardhë, njëherë të zezë për të njëjtën çështje. A kanë qenë pothuajse këto dy standarde gjithmonë në përfitim të pushtetit? Këtu lind pyetja themelore. Dhe nuk është vetëm Meta dhe Karçanaj, po është që ti sot gjashtë bashki fitoi opozita e vetë. Një ja more e shkretë. Një ja more me SPAK dhe me GJKKO. Një lider partie opozitare e ke në burg. Berishën rrezik po e llogarisin që të arrijë kulmin e procesit para zgjedhjeve.
Pra, pamë të gjithë procesin nga këto dy standarde, na del që këto dy standarde janë të tilla sepse kemi të bëjmë me një drejtësi të politizuar dhe me drejtësinë që punon për këtë pushtet dhe ky pushtet dihet, është vetëm Edi Rama. Prandaj, në këtë kuptim, në qoftë se pranojmë konceptin e dy standardeve, në një farë mënyre i kemi dhënë përgjigje pyetjes, që a e kontrollon Edi Rama drejtësinë? Dhe analizimi rast pas rasti i këtyre dy standardeve, gjithmonë këto dy standarde kanë qenë në dëm të kundërshtarëve të Ramës dhe në favor të Edi Ramës, si rasti Mirlinda dhe Ilir Meta.
Nuk po flasim për pasionet e Edi Ramës. Po flasim për ekuilibrat e pushtetit. S’e mori as mandat. E, si rrezikon pushtetin, se Beqja vërtet sot vuan në burg prej dy vitesh, por unë dhe ti vazhdojmë paguajmë për koncesionet që Beqja firmosi për llogari të Edi Ramës. Dhe ky është thelbi. Pra, bën ndonjë retushim drejtësia edhe nga pushteti i Edi Ramës, po nuk i prek thelbin e pushtetit.
Ndërsa kur godet nga ana tjetër, kur përdor standardin e dyfishtë nga ana tjetër, godet në zemër të kundërshtarëve të Ramës. Dhe ne pas viteve ’92-’97, pra kohës së Berishës së parë, unë mendoj që ne jemi kthyer te drejtësia politike, te drejtësia që përdoret si armë nga pushteti për të goditur kundërshtarin. Dhe prandaj ne e kemi lehtë të flasim për drejtësinë me dy standarde, se qëllimi final është ky.

Advertisement