Aktualitet
Roth: Migrimi duhet të bëhet rrugë me dy kalime
Deutsche Welle: Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, por edhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për rininë. Si mund të zgjidhet kjo kontradiktë?
Michael Roth: Ne duam që të rinjtë në të gjithë Europën të mund të përfitojnë nga shanset si në vendin e tyre të lindjes, ashtu edhe gjetkë në kontinent. Por nuk është mirë për një vend, kur rinia bën gati valixhet për të mërguar. Sepse mungojnë punëtorët e kualifikuar, forcat inovative dhe dinamika shoqërore. Kjo është njëra nga arsyet pse qeveria gjermane e mbështet perspektivën e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. Reformat i bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor më tërheqëse për investime dhe integrim në ekonominë e BE-së. Kjo sjell vetvetiu më shumë mirëqenie për popullsinë dhe perspektivë shumë më të mirë për të rinjtë.
Trajnimet dhe kualifikimet janë thelbësore për të nxitur zhvillimin e këtyre vendeve. Për shembull, ne angazhohemi në Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera, edhe me anë të GIZ-it, në fushën e trajnimit të dyfishtë. Përmes mundësisë së arsimit dhe kualifikimit dhe përvojës së punës tek ne, ne duam të kontribuojmë që njerëz të kualifikuar në mënyrë të shkelqyer të mund të kthehen në vendet e tyre. Migrimi deri tani ka qenë një rrugë me një drejtim, por duhet të bëhet rrugë me dy kalime.
Çfarë u ofron Gjermania të rinjve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë në vendet e tyre?
Ne nuk duam që të mos vijnë të rinjtë tek ne. Ne duam që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë një vend të përhershëm në BE. Lëvizja e lirë është një nga vlerat themelore në BE. Pra, siç thashë, ne duam që të rinjtë të jenë të lirë në zgjedhjen e tyre, e të mos largohen nga vendet e tyre nga halli. Kjo kërkon perspektiva në vend. Prandaj, ne e mbështesim gjerësisht zhvillimin e këtij rajoni, në radhë të parë përmes BE-së, por edhe në planin dypalësh. Në pranverë, në Samitin e Ballkanit Perëndimor të BE-së në Zagreb, ne vumë në dispozicion 3,3 miliardë për të luftuar COVID-in dhe pasojat e pandemisë në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, Komisioni i BE-së paraqiti në fillim të tetorit një paketë ekonomike dhe investimesh me vlerë 9 miliardë euro, e cila ka për qëllim modernizimin e ekonomisë në Ballkanin Perëndimor. Veç kësaj, Gjermania mbështet në mënyrë shumë aktive këto vende në planin dypalësh me masa p.sh. në fushën e mjedisit, klimës, sundimit të ligjit ose arsimit të dyfishtë. Por ne mbështesim edhe pajtimin dhe forcimin e shoqërive të hapura, të larmishme dhe liberale.
Çfarë kërkon Gjermania nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për ta mbajtur rininë në vend?
Politika e zgjerimit të Komisionit të BE-së është shumë e qartë: shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin kritere të rrepta. Ideja e kësaj është: : We deliver, you deliver! (shq.: ne japim, ju jepni, shën. i red.) Kjo do të thotë që BE-ja është e gatshme ta fusë rajonin në gjirin e saj dhe është e mbështet këtë rrugëtim me ide, projekte, ekspertiza dhe shumë para. Por në këmbim ne presim reforma reale. Ka akoma mjaft hapësirë për përmirësim në ritmin e reformave në fushat që sapo përmenda. Shumë të rinj në Ballkanin Perëndimor thonë se mungesa e shanseve për shkak të institucioneve të korruptuara, klima e mostolerancës dhe mangësitë në sundimin e së drejtës janë shkaku për emigracionin. Përparimi i qartë në sundimin e ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të motivonin shumë prej të rinjve të ndërtonim një të ardhme në vendin e tyre. Dhe të njëjtat reforma do të sillnin bum ekonomik. Ne duam shoqëri të hapura, dinamike dhe përfshirëse.
Autor Adelheid Feilcke,DW