Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon deklaratën e Vlora Hysenit: Atentat ndaj integritetit të gazetarit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares investigative të News24, Klodiana Lala.

Në një deklaratë publike, UGSH e ka cilësuar shqetësuese përmbajtjen e deklaratës së Hysenit, e cila u bë para kamerave të mediave, dhe ka kërkuar që pretendimet e ngritura ndaj gazetares të sqarohen nga organet kompetente.

Sipas Unionit, deklarata e ish-drejtores së SHISH, e bërë në momentin kur ajo po pyetej nga gazetarët, ngre shqetësime lidhur me mënyrën e trajtimit të gazetarëve dhe me pretendimet për survejim të tyre.

UGSH i është referuar edhe deklaratave të Hysenit për takime të pretenduara të Klodiana Lalës me persona të cilësuar prej saj si “spiunë serbë”. Unioni kërkon që këto pretendime të verifikohen dhe të bëhen pjesë e një procesi sqarues nga organet përkatëse, në mënyrë që të përcaktohet nëse ekzistojnë të dhëna apo prova që i mbështesin ato.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Shantazhimi apo ndalimi i gazetarëve në krye të detyrës, përbën jo vetëm akt të dënueshëm, por dëshmojnë një klimë anti lirie për raportim dhe kurajo profesionale
Tiranë më 24.09.2026
Dy episode të ndodhura sot në jetën publike të kryeqytetit tonë, në Tiranë, rikthejnë në vëmendjen e opinionit publik marrëdhënien problematike mes policisë së shtetit dhe reporterëve në terren.
UGSH shpreh indinjatën ndaj shoqërimit të gazetares Vjolanda Peca e cila raporton për Citizens.al, ndërsa po raportonte protestën që zhvillohej sot në mjedisin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodheshin qytetarë të tubuar. Shoqërimi i gazetares, ( rast i përsëritur edhe në ditë të mëparshme), sikundër dhe mbajtja e saj e ndaluar, përbën një shkelje dhe cënim të rolit që ka reporteri në krye të detyrës.
UGSH i drejtohet ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita, me kërkesën që ky rast të ndriçohet dhe episode të tilla me reporterët të mos përsëriten.

Kësi rastesh po përfshihen në të gjitha raportet periodike të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që indeksojnë lirinë e raportimit dhe medias në botë dhe rajon.

Episodi i dytë ka të bëjë me akuzën e drejtpërdrejtë në kamerat e shumë mediave të ish zyrtares së akuzuar, ndaj gazetares së News24, Klodiana Lala.

UGSH e konsideron deklaratën e ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni drejtuar gazetares Klodiana Lala në kushtet e një të pandehure të pyetur, si shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri.

Akuza ndaj gazetares për takime me spiunë serbë, duhet bërë pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit, për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazhim të tillë publik nga zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë shtetërorë.

Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish titullare e shërbimit inteligjent.

Si e tillë, kjo deklaratë akuzuese ndaj gazetares, prej ish zyrtares nën hetime dhe akuza për abuzime të rënda, duhet saktësuar dhe ndriçuar me transparencë dhe plotësisht mbi baza ligjore, pa i dhënë hapësirë çdo abuzimi dhe lëndimi të integritetit të koleges.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Advertisement