Thinking ...
Connect with us

Kronike

Plagoset me plumb në bark një person, i plagosuri niset drejt Traumës

Një person ka mbetur i plagosur mesditën e sotme në afërsi të fshatit Manati në Lezhë, pas një konflikti të çastit ku dyshohet se është përdorur armë zjarri.

I plagosuri ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku është paraqitur me dëmtime në pjesën e barkut. Pas stabilizimit të gjendjes, mjekët kanë vendosur transportimin e tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar.

Pas njoftimit për ngjarjen, në zonë kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar vendin ku ndodhi konflikti. Shërbimet e policisë kanë ngritur gjithashtu pika kontrolli në akset kryesore dhe në hyrje-daljet e qytetit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personit ose personave të përfshirë.

Deri në këto momente, autorët e dyshuar nuk janë identifikuar. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e ngjarjes, mbledhjen e provave materiale dhe verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën përreth.

Motivet e konfliktit dhe rrethanat e plota të plagosjes mbeten ende për t’u sqaruar, ndërsa pritet edhe njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit.

Advertisement