Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Publikimi i mesazheve romantike mes Agasit dhe Hysenit/ GJKKO “kyç” dosjen deri në fund të hetimeve

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vendimin për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Hyseni u paraqit këtë të enjte në GJKKO, pas kërkesës së SPAK-ut për marrjen e saj në pyetje në lidhje me akuzat e ngritura në kuadër të çështjes “Agasi”.

Në njoftimin zyrtar, GJKKO bën me dije se me vendimin nr. 69, datë 24 shtator 2026, është vendosur vazhdimi i zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj Vlorë Hysenit.

Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e publikimit të plotë ose të pjesshëm të vendimit gjyqësor deri në përfundimin e hetimeve paraprake.

Vendimi vjen një ditë pas publikimit në media të disa pjesëve të dosjes hetimore, ku janë bërë publike edhe komunikime që lidhen me marrëdhënien mes ish-drejtores së SHISH dhe biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të hetimit.

Sipas materialeve të publikuara në media, komunikimet e bëra publike paraqesin një raport më të afërt mes Hysenit dhe Agasit, krahasuar me atë që ajo kishte deklaruar më herët gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, në cilësinë e personit që kishte dijeni për çështjen.

Megjithatë, përmbajtja e plotë e dosjes hetimore dhe vlerësimi i provave mbeten pjesë e hetimit paraprak, ndërsa GJKKO ka kufizuar publikimin e vendimit deri në përfundimin e kësaj faze.

Advertisement