Aktualitet
SHBA godet objektiva iraniane, Kuvajti raporton sulme me raketa dhe dronë
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se gjatë fundjavës kanë ndërmarrë sulme ndaj disa objektivave ushtarake në Iran, duke shënuar shkeljen e tretë të armëpushimit të arritur mes dy vendeve në muajin prill.
Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) bëri të ditur se sulmet kanë në shënjestër radarë dhe qendra komanduese për dronët në zonën e Gorukut dhe në ishullin Qeshm.
Sipas ushtrisë amerikane, operacioni u krye në kuadër të “vetëmbrojtjes”, pas rrëzimit të një droni amerikan MQ-1 nga forcat iraniane.
Washingtoni pretendon se droni po operonte mbi ujëra ndërkombëtare, ndërsa Teherani këmbëngul se ai kishte hyrë në ujërat territoriale iraniane.
Autoritetet iraniane deklaruan se droni ishte një objektiv “armiqësor” dhe se u rrëzua pasi shkeli hapësirën e kontrolluar nga Irani.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur të dyja palët po zhvillojnë negociata për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po interceptojnë raketa dhe dronë armiqësorë, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan në disa zona të vendit.
Tensionet në rajon kanë ngritur shqetësime të reja për furnizimin global me naftë dhe gaz natyror. Ngushtica e Hormuzit mbetet pjesërisht e bllokuar, duke ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të plehrave kimike.
Pavarësisht përshkallëzimit të fundit, zyrtarët amerikanë dhe iranianë kanë bërë të ditur se kontaktet diplomatike vazhdojnë, me synimin për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se projekt-marrëveshja ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit përqendrohet kryesisht te programi bërthamor iranian, duke kundërshtuar raportimet që sugjeronin të kundërtën.
Në një postim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump hodhi poshtë një raport të transmetuar nga CNN, sipas të cilit marrëveshja e propozuar nuk trajtonte në mënyrë thelbësore çështjen bërthamore të Iranit. Trump theksoi se dokumenti përmban dispozita të detajuara dhe gjithëpërfshirëse që lidhen me aktivitetet bërthamore të Iranit.
Deri më tani, as Uashingtoni dhe as Teherani nuk kanë njoftuar zyrtarisht ndonjë hap për ratifikimin ose zbatimin e marrëveshjes së propozuar, ndërsa negociatat mbeten në qendër të vëmendjes së diplomacisë ndërkombëtare