Connect with us

Aktualitet

Strazimiri revoltohet me ata që ndjekin BBVIP dhe s’bëjnë revolucion

Ish-deputeti me kobure, Gent Strazimiri, është revoltuar me shqiptarët pse nuk reagojnë për situatën kritike, në të cilën, sipas tij, ndodhet Shqipëria.

Ai thotë se shqiptarët e kanë mëndjen të shohin “Big Brother” e “Përputhen”, edhe pse nuk kanë bukë të hanë.

Postimi i Strazimirit

‘Pane, amore e fantasia’ është një film i neorealizmit italian i vitit 1954 me regji të Luigi Comencinit.

Sekuenca simbol e filmit, është shumë therëse, të bën të qash e të qeshësh njëkohësisht.

Vittorio De Sica në rolin e “mareshalit”, komandantit të karabinierëve të fshatit, tek ecte rrugës sheh një individ të rreckosur të ulur rrëzë një muri në një rrugicë rrënojash, tek hante me shije një bukë të madhe, thatë, të mbledhur me gazetë…

“Çfarë po bën aty?”, e pyet.

“Po ha drekën, marescià! Bukë, djathë, sallam krudo dhe pak verë”, përgjigjet ai.

“Po djathin, sallamin dhe verën ku e ke?”, vazhdon ta pyesë i habitur De Sica.

“I kam në mendje, marescià”…

“Ahh…! Epo atëhere… të bëftë mirë….”!

Është Italia e pas luftës, e cila mes rrënojash përpiqej të gjente forcat për t’u ringritur, e që konsumonte vetëm dashuri që është falas dhe, një minimum konsumi aq sa buka thatë…

Mirëqenien e kishte thjesht një fantazi, në mendje…

Virtuale, do e quanim sot ne, në kohët “moderne”…

Nëse satira e neorealizmit italian ka fiksuar një moment psiko-social-ekonomik të Italisë së pasluftës, në Shqipërinë “moderne” ky është realitet propagandistik, e aspak “virtual”…

Virtualisht, një shqipëtar nuk ka nevojë të lodhet duke shkuar nëpër sportele për të marrë shërbimet që i nevojiten.

Gjithçka mund ta bëjë nga shtëpia, përmes e-Albania, si në Skandinaví…

Po s’besuat shihni lajmet e Top Channel…

Virtualisht, me një “click”, aty gjen çertifikatën e lindjes, martesës dhe të vdekjes, detyrimet e taksave dhe tatimeve etj, madje në “mënyrë të unifikuar përmes Ëeb 2.0”, i konceptuar me “qasjen” që në qendër të jetë qytetari….

E thotë krejt qartë Tv Klan në 5 kronikat e para të lajmeve të çdo dite…

Virtualisht mjekësia në Shqipëri është falas, si askund tjetër në botë.

Shteti shqiptar (aspak virtualisht) paguan disafish më tepër se çdo shtet tjetër për shëbimet që virtualisht marrin qytetarët në spitale, që nga sterilizimi e deri tek dializa…

E sqaron deri në detaje Report Tv, sa herë i duhet qeverisë…

Në këtë vendin që ha vërtetë vetëm bukë thatë, virtualisht, ekonomia rritet vit për vit, dhe ndërtimi i kullave për frymë popullsie krahasohet vetëm me Dubain…

Virtualisht, përmes sondazheve, 67 % janë të kënaqur me qeverinë dhe qeverisjen, madje kjo pasqyrohet edhe në zgjedhje, por 33% kanë ikur dhe 87% e atyre që kanë mbetur kanë vendosur të ikin…

Virtualisht, në këtë vend të rreckosur që ha bukë thatë në cep të rrugicës, demokracia funksionon si sahat, “online” përmes komisioneve parlamentare, madje pa patur nevojë për debat e as për opozitë…

Virtualisht, në këtë vendin ku çdo gjë vidhet hapur, me paralajmërim, ku virtualisht 7×7 bëjnë vazhdimisht 42, pandëshkueshmëria ka marrë fund por vjedhja vazhdon edhe më intensivisht…

Virtualisht kemi edhe prezenca diplomatike që po ashtu virtualisht na “përgëzojnë për arritjet e deritanishme” që i kemi në mendje, në fantazi e, në rrugë e sipër na urojnë “ahhh…epo atëherë… të bëftë mirë…”!

Virtualisht, në këtë vendin që çdo gjë tjetër përveç bukës thatë, e ka luks (përfshi edhe “dashurinë”), të gjithë bisedojnë vetëm për “Big Brother” e “Për’puthen”, por askush nuk pranon se e ndjek…

Nëse e pyet se nga i di zhvillimet e fundit deri në detaje, të përgjigjet se e ndjek ndonjëherë, rastësisht dhe, e bën vetëm për qëllime “studimore”, për të kuptuar se “a ka rënë vërtetë kaq poshtë kjo shoqëri”…

Gjithësesi një gjë është e sigurtë, e prekshme e aspak virtuale: ditën e transmetimit të tyre, Tirana është bosh.

Secili ka zënë cepin e tij të rrugicës për të shijuar me oreks copën e tij të “Big Brother”, duke patur në fantazi, në mendje, virtualisht, çdo gjë tjetër që duhet ta kishte realisht e që ia marrin çdo ditë, live, me paralajmërim…

Këtu realja dhe virtualja “Për’puthen” dhe shijohen plotësisht, prandaj nuk ka më as forcë për të reaguar… dhe nuk është film…

Aktualitet

Strategjia e përbashkët e Veliajt me kryeministrin është një kurth për opozitën

Analisti Lorenc Vangjeli sheh Erion Veliaj si fitues në sytë e Opinionit public në përballjen e tij me Berishën dhe Metën. Duke folur në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se strategjia e Veliajt është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë.

“Qëllimi i zotit Veliaj ishte befasues. Nisur nga ajo që pamë ai ka bërë atë që duhej për mbështetësit e tij dhe për të nisur luftën politike nga dyert e SPAK. Strategjia e tij është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë. I gjithë thelbi i kësaj strategjie qëndron tek e bëra e kontrastit mes gjuhës së Berishës dhe Metës për SPAK dhe gjuhës së Veliajt duke i quajtur kolegë dhe bashkëpunues. Duke i thënë publikut atë që do të dëgjojë, Erion Veliaj fiton betejën me publikun…. Të gjithë ata që ai sulmon, përfshi edhe kolegët tanë, njerëzit do thoshin – “He mo se edhe këta njësoj janë”. Dhe kjo është një gjetje inteligjente. Ka zgjedhur që në këtë mënyrë të bëjë numrin 2 të PS dhe të bëjë gardhin e mbrojtjes për PS dhe për Edi Ramën”, deklaroi Vangjeli.

 

Continue Reading

Aktualitet

Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën kur supozohej ta arrestonin, ai u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit dhe bëri një vrap të lehtë në të njëjtën shteg të parkut të liqenit ku kishte nisur prej javësh ushtrimet fizike, veçse atë ditë ajri dukej më i ngarkuar, a thua se ishte mbushur me pëshpëritje e thashetheme për një ngarje të madhe që pritej të ndodhte.

Për javë e muaj me radhë, që nga gushti i vitit të shkuar, kryeqyteti nuk ishte bllokuar nga trafiku, por nga parashikimet e analistëve, gazetarëve dhe komentatorëve politikë, të cilët paralajmëronin me një siguri profetike dhe kënaqësi që nuk e fshihnin dot se Ai, një politikan jo pa ndikim, do të arrestohej së shpejti.

Një tufë të ftuarish dhe tuafësh televizivë nën regjinë e moderatorëve gjithnjë të habitur, flisnin sikur të kishin qenë prapa kurrizit të gjykatësit që kishte firmosur urdhërin e arrestit. Detajet shkonin deri aty sa jepej jo vetëm ora, dhe vendi, por edhe se si do të ndodhte arrestimi.

Kafetë, që zakonisht gumëzhinin nga zhurma e ekspresit ishin shndërruar në falltore. Kokat e klientëve lëviznin sa nga filxhanet e kafeve te ekranet e mëdhenj duke, pritur me stoicizëm rënien e njeriut që kishte ecur në korridoret e pushtetit për 30 vjet me lehtësinë e dikujt që besonte se ishte i paprekshëm. “Durim a derëzi. Është vetëm çështje kohe,” “Akuzat mund të jenë të dobta, por provat janë shumë të forta”..

Gazetat, që në këtë vend historikisht kanë thënë vetëm të vërtetën, edhe të shtunen dolën me tituj të mëdhenj për arrestimin. Drejtuesit e emisioneve të mengjesit lexonin titujt si skenat përfundimtare të një drame politike që pritej të ndodhte orë e çast. Titujt që lexoheshin nga televizionet në mëngjes i referoheshin bisedave të darkës në ekran ku shkëlqenin fytyrat serioze të analistëve që analizonin çdo lëvizje të kaluar të Atij si të ishte një gjurmë që zberthente enigmën që do të çonte në fundin e tij të pashmangshëm.

Por në rrugë, jeta vazhdonte me ritmin e saj të zakonshëm. Leku, monedha vendase kishte shtrirë përtokë dhe po i merrte frymën euros dhe dollarit. 30 mijë profesionistë të lirë po lexonin faturat e Tatimeve per fitimin e 2024. Paradhenie! Qeveria vijonte me numërimin e turisteve që vinin nga vendet e BE-se, ndërsa Eurostat numëronte shqiptarët që kërkonin azil në BE!

Dita zgjatej çdo ditë me minuta në kurriz të natës, ndërsa entuziazmi i mëngjesit zbehej nën peshën e diellit të pasdites. Por me rënien muzgut, rritej siguria e babavangave të banaqeve televizive.

Ndërkohë ai e mbylli ditën e ngjeshur me aktivitete fizike dhe postime në Facebook. Në orët e vona u pa në një kafe në qendër të Tiranës, duke qeshur me zë të lartë mbi një filxhan makiato. Njerëzit rreth e rrotull kishin porositur kafe turke, në një përpjekje për të lexuar fatin e tij.

Mbrëmja erdhi dhe shkoi, dhe asnjë sirenë nuk u dëgjua, përveç sirenave të ambulancave që pas djegies së urgjencës silleshin të çoroditura sa nga një spital në tjetrin. Drama nuk ndodhi.

Gazetarët e kronikës që prisnin me minuta ngjarjen e madhe befas u qetësuan si pëllumbat që çukisnin copa buke në sheshin e para Universitetit. Diçka nuk shkonte mire me burimet. Spektakli i pritur nuk ndodhi.

Ndërsa nata zbriti mbi Tiranë, një erë e freskët fëshfërinte përmes rrugëve, ndoshta si një ndjesë për stuhinë që kurrë nuk erdhi. Analistët nga istikamet e tyre në ekran i bënë thirrjen e radhës prokurorisë të mos luante me parashikimet e tyre, ndryshe do të përballeshin me zemërimin popullor.

Po afroheshin Pashkët dhe vendi (bashkë me njerëzit) e meritonte një shi (dush) të mirë.

Continue Reading

Aktualitet

Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar

Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.

Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.

Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.

Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Mbetën të bllokuar në det, shpëtohen 11 turistë në Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë shpëtuar 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Momentet e fundit të dy viktimave në Kurbin, zetori rrokulliset dhe…

Pamjet e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në 10 Prill në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë publikuar duke shfaqur momentet e fundit të dy personave që mbetën të vrarë pas incidentit.

Siç duket edhe në video, zetori me të cilin udhëtonin 60-vjeçari Ismajl Ismaili dhe 21-vjeçari Gjin Muhaj, të dy banues në Mirditë, përmbyset dhe bie në kanal.

Nuk është e qartë se përse zetori ku ndodheshin dy viktimat është përmbysur duke sjellë edhe vdekjen e tyre, por dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin për një moment.

 

 

Të dy ishin nisur për të punuar tokën e 60-vjeçarit, i cili kishte punësuar të riun, por të dy humbën jetën pasi nuk kanë arritur të shpëtojnë pasi zetori i ka zënë poshtë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING