Connect with us

Bota

Trump shprehet optimist: Pres një marrëveshje me Iranin brenda një ose dy ditësh

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar për Axios se negociatorët amerikanë dhe iranianë mund të zhvillojnë një takim gjatë kësaj fundjave dhe se ai pret arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.

“Besoj se një takim ndoshta do të zhvillohet gjatë fundjavës. Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje brenda një ose dy ditësh”, është shprehur Trump në një intervistë telefonike, duke theksuar optimizmin për ecurinë e negociatave.

Megjithatë, sipas disa zyrtarëve amerikanë dhe burimeve të cituara nga Axios, edhe pse është shënuar përparim i rëndësishëm dhe palët janë afruar me një plan paqeje prej tre faqesh, ende mbeten mosmarrëveshje për çështje kyçe.

Sipas raportimeve, një nga elementët e diskutuar të marrëveshjes parashikon lirimin e rreth 20 miliardë dollarëve fonde të ngrira iraniane në këmbim të heqjes dorë nga Irani nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, si dhe vendosjen e një moratoriumi mbi pasurimin e uraniumit.

Trump ka theksuar gjithashtu se SHBA nuk do të heqë bllokadën detare ndaj Iranit përpara arritjes së një marrëveshjeje dhe ka kërkuar që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur për lundrim ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar hapjen e ngushticës për periudhën e mbetur të armëpushimit, i cili përfundon më 21 prill, por detajet e zbatimit mbeten ende të paqarta.

Trump ka deklaruar se një marrëveshje eventuale do të kontribuonte në sigurinë e Izraelit dhe stabilitetin rajonal, duke shtuar se “Izraeli do të dalë shkëlqyeshëm” në fund të konfliktit, ndërsa ka kërkuar gjithashtu ndalimin e sulmeve izraelite në Liban.

Ndërkohë, në terren janë raportuar zhvillime të reja ushtarake, përfshirë një sulm me dron në Libanin jugor, ndërsa brenda qeverisë izraelite ka ndarje mbi mënyrën e vazhdimit të konfliktit.

Advertisement