Connect with us

Politike

VILA SEKRETE NE PALASE/ PRETENDIMET E SPAK-SKEMA

Hetimi ndaj Belinda Ballukut po shkon përtej sekuestrimit të një vile në bregdet. Në qendër të episodit të ri të dosjes është lidhja që SPAK pretendon se ekziston mes një tenderi publik miliarda lekësh dhe investimeve të kryera në një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, procedura për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7” kishte një fond limit prej 2,353,597,373 lekësh pa TVSH. SPAK pretendon se gjatë kësaj procedure janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.

Por hetimi nuk ndalet te tenderi.

Sipas SPAK, pronari i “Alko-Impex General Construction”, Arbër Abazi, ka marrë përsipër më pas investime për përfundimin e një vile në “Green Coast”. Preventivat e administruara gjatë hetimit e vendosin vlerën e punimeve në rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.

Prokuroria pretendon se kjo vilë ishte në pronësi faktike të Belinda Ballukut, por ishte mbajtur e fshehur përmes dokumentacionit në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Në dosje përmendet një kontratë sipërmarrjeje e 26 tetorit 2020, në vlerën 250 mijë euro, që sipas SPAK përfshinte investimin deri në fazën e karabinasë.

Dyshimi i SPAK është se investimet e mëtejshme në vilë përbënin një përfitim të parregullt të lidhur me favorizimin e pretenduar të kompanisë në tenderin publik.

Më 9 shtator, GJKKO vendosi sekuestron preventive të vilës në Green Coast, ndërsa hetimet vazhdojnë. Balluku hetohet në këtë episod për vepra penale që përfshijnë korrupsionin pasiv, fshehjen ose mosdeklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Arbër Abazi dyshohet nga SPAK për korrupsion aktiv.

Dosja më e gjerë përfshin gjithashtu hetime për tetë procedura prokurimi, mes tyre Tuneli i Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Tiranës.

Tashmë pyetja që ngre hetimi nuk është vetëm se kujt i përkiste vila në letra, por nëse dhe si lidhen paratë dhe përfitimet private që pretendon SPAK me një kontratë publike prej miliarda lekësh.

Belinda Balluku dhe personat e tjerë të përfshirë në hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Advertisement