Kosova
Vjosa Osmani në terren/ Profili ndryshe që mund ta trazojë skenën politike në Kosovë
Gjilan, Istog, Suharekë, Pejë, Gjakovë, Deçan…Brenda pak ditësh, javëve të fundit, në këto qytete të Kosovës, ish-presidentja Vjosa Osmani takoi dhjetëra – nëse jo qindra – qytetarë, duke ngjallur pyetjen: a po përgatitet ajo për një rikthim në garën politike?
E gjitha kjo po ndodh në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë. Nëse brenda më pak se dy javëve nuk arrihet marrëveshje për postin e presidentit, vendi do të përballet me zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare – të tretat brenda rreth 16 muajve.
Ky kontekst e bën çdo lëvizje të aktorëve politikë, përfshirë Osmanin, që e synonte edhe një mandat të dytë si presidente, më domethënëse.
Sipas Donika Eminit, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, vizitat e Osmanit duhet të lexohen si pjesë e një strategjie të mirëmenduar.
Ajo beson se këto lëvizje tregojnë një përpjekje për të rikthyer dhe konsoliduar lidhjen me elektoratin pas një mandati të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme.
Përçarja mes Osmanit dhe Kurtit është e lidhur, sipas njohësve të zhvillimeve politike, kryesisht me dallimet në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mungesën e koordinimit institucional dhe konkurrencën për ndikim politik.
Këtë vit, Osmani nuk u propozua për një mandat të ri si presidente, pesë vjet pasi ishte zgjedhur në këtë post me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të Kurtit.
Por, angazhimi politik i saj kishte nisur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Osmani u zgjodh për herë të parë deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011, dhe u rizgjodh në disa mandate radhazi, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të LDK-së.
Në vitin 2019, ajo udhëhoqi listën zgjedhore të partisë dhe ishte kandidatja e saj për kryeministre, duke përfaqësuar një përpjekje për reformim të brendshëm.
Ndarja nga LDK-ja në vitin 2020 shënoi një kthesë të rëndësishme në karrierën e saj. Më pas, ajo ndërtoi një aleancë me Kurtin dhe LVV-në, përmes iniciativës GUXO, një format politik që, sipas Eminit, nuk u konsolidua plotësisht si subjekt i mirëfilltë.
Në vitin 2021, Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, duke kaluar në një rol të ri, në të cilin, si përfaqësuese institucionale, ajo supozohej të qëndronte mbi ndarjet partiake. Në këtë post, ajo është kritikuar shpeshherë nga opozita, që e akuzonte se po ia mban anën LVV-së.
E, tani, sipas Eminit, Osmani po hyn në një fazë të re të karrierës së saj, qoftë përmes një subjekti të ri apo një ripozicionimi strategjik brenda një partie. Koha e zgjedhjeve të ardhshme do të jetë vendimtare për mënyrën se si do të mund të bëhej ky rikthim i Osmanit.
Emini argumenton se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme nga moszgjedhja e presidentit – në fund të majit ose në fillim të qershorit – hapësira për ndërtim të një subjekti të ri do të ishte e kufizuar dhe Osmani do të mund të detyrohej të mbështetej në një strukturë ekzistuese.