Politike
500 000 dollarë/ Basha: Jemi krenar që kemi…
Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar pas nxjerrjes së një raporti amerikan ku thuhej se PD ka përfituar rreth 500 mijë dollarë financim në 2017 nga Rusia.
‘Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.’- shkruan Basha,
Lajmi në përditësim…
Rusia financoi PD-në me 500 mijë dollarë në 2017? Genc Pollo: Partia Demokratike të bëjë transparencë për këto para
“PD të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Lulzim Bashës . Sipas mediave ndërkombëtare një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se agjencitë e zbulimit të ShBA po informojnë konfidencialisht disa shtete për financimet e fshehta të Rusisë ne favor të politikanëve të caktuar në më shumë se 24 shtete. Ned Price zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së i quajti këto financime të Kremlinit si sulm mbi sovranitetin e këtyre shteteve. Një zyrtar amerikan anonim i deklaroi Agjencisë France Presse se Rusia shpenzoi afro 500 000 USD për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të v 2017. Si deputet i zgjedhur në v. 2017 i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jo miqësore me Shqipërinë (fatkeqësisht organeve partiake nuk ju paraqit siç parashikon statuti raporti financiar vjetor që mund të hidhte dritë mbi detajet e këtyre pagesave). Këto financime kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar te partisë dhe kanë përdorur guaskat fiskale jashtë vendit tonë. Këtu mund të kemi të bëjmë me parregullsi administrative e ligjore; mbase edhe me shkelje penale. Por sot nuk kemi thjesht këto probleme të cilat mbeten pjesërisht të pazgjidhura. Sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në v. 2017 nga një shtet atëherë jomiqësor dhe sot, me agresionin e përgjakshëm kundër Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar, nga një shtet armik. PDSh si partia që historikisht rrëzoi komunizmin dhe e orientoi Shqipërinë drejt Europës e Perëndimit nuk ka asnjë arsye të mbajë të tilla njolla, hije apo dyshime. Prandaj do të propozoj zyrtarisht që udhëheqja aktuale, përfshi kryetarin Berisha e Sekretarin e Përgjithshëm Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm. Raporti i auditimit duhet t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar si dhe të publikohet në websitin e partisë. Unë jam i ndërgjegjshëm se situata është komplekse: për shkak të ndërlikimeve gjyqësore një sërë tagrash partiake nga aksesi në llogaritë bankare deri tek websiti i partisë janë ende të kontrolluara nga Basha e njerëzit e tij. Gjithashtu çfarëdo informacioni amerikan të marrë qeveria Rama mendoj se nuk do e përdorë në interesin shtetëror por për të dëmtuar opozitën edhe tashti që Basha ka ikur. E ka provuar këtë edhe duke keqpërdorur ndërkombëtarë të caktuar. Por këto nuk janë arsye që PD të mos pastrojë plehun e mbetur në Haurin e Avgjisë. Qoftë edhe duke thirrur para Komisionit të Posaçëm të Auditimit të tërë zyrtarët partiakë përgjegjës; përfshi edhe ish kryetarin e partisë. Dhe duke bërë transparencë të plotë mbi çështjen”, u shpreh Pollo.
…
Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi komentoi lajmin që sipas një zyrtari amerikan, Rusia ka financuar Partinë Demokratikë në vitin 2017.
Në lidhje me këtë Bardhi tha se PD do të qendrojë gjithmonë në krah të SHBA-ve dhe se për këtë duhet të japin llogari ata që kanë qenë në krye të PD-së në vitin 2017.
“Nëse cënohen marrëdhëniet me SHBA-të, PD do të jetë gjithnjë në krah të SHBA-ve. Për këtë çështje referohuni zyrtarëve të PD-së që kanë qenë në krye të PD-së në ato vite.” , tha Bardhi.